Presidenti George Bush dhe rivali i tij demokrat, Senatori John Kerry, dalin sonte përballë në debatin e tyre të dytë televiziv. Kandidatët do t’u përgjigjen pyetjeve të të pranishmëve në sallë. Debati i sotëm zhvillohet në shtetin e Mizurit dhe të ftuarit në sallë janë votues të pavendosur. Nuk ka asnjë kufizim për temat që do të diskutohen, por pritet që lufta në Irak, terrorizmi, kujdesi shëndetësor, taksat dhe vendet e punës të jenë në qendër të vëmendjes.
Presidenti Bush dhe kandidati demokrat për president John Kerry shkojnë në debatin e dytë të tyre, kur sondazhet tregojnë për një mbështetje praktikisht të barabartë. Epërsia njëmujore e Presidentit Bush ndaj zotit Kerry u zhduk pas debatit të parë javën e kaluar. Debati i dytë do të përqendrohet tek çështjet e brendshme, si dhe çështje të politikës së jashtme. Gjatë fushatës së tij, zoti Bush e cilësoi Senatorin Kerri si liberal në aspektin e taksave dhe shpenzimeve që kërkon administratë më të fryrë. ”Kundërshtari im është një nga kandidatët e pakët në histori që premton të ngrejë taksat”.
Analistë politikë thonë se John Kerry, në përpjekje për të tërhequr votuesit e klasës së mesme, do të vazhdojë të përsërisë gjatë debatit tema të njohura. Këtë javë, zoti Kerry kritikoi zotin Bush për politikat e brendshme, ndërkohë që u thoshte votuesve se ai vetë ka një program më të mirë. ”Amerikanë, angazhohem para jush! Më jepni shansin t’i ofroj Amerikës një kujdes shëndetësor të përballueshëm dhe funsional për të gjithë. Më jepni shansin të luftoj për ndershmëri në vendin e punës. Më jepni shansin për ta bërë Amerikën të pavarur në aspektin energjetik”.
Analisti politik Ron Faucheux dhe ekspert i debateve thotë se, ndërkohë që ka mbetur më pak se një muaj deri në votime, kandidatët po e ndjejnë nevojën e ngutshme për gjetjen e mesazhit të saktë që do të tërheqë votuesit e pavendosur. ”Me afrimin e zgjedhjeve, objektivat po bëhen gjithnjë e më të larta, ndërkohë që gara mbetet e ekuilibruar. Të dyja palët po kërkojnë të bëjnë diçka për të shpërthyer. Debati i fundit u duk se e ndihmoi mjaft Senatorin Kerry për t’iu afruar Presidentit Bush. Tani, shtrohet një pyetje e madhe nëse Senatori Kerry arrin ta ruajë inercinë e fituar”.
Për të ruajtur këtë inerci, zoti Facheux beson se Senatori Kerry duhet të shfrytëzojë çdo pakënaqësi të publikut ndaj politikave të Presidentit Bush në fushën ekonomike. ”Ajo që Kerry ka nevojë të bëjë dhe që nuk e ka arritur ende, është ta kthejë këtë fushatë, t’i kthejë këto zgjedhje drejt atyre çështjeve ku ai është më i fortë. Ai është përpjekur të pakësojë epërsinë e Presidentit Bush në disa prej çështjeve, ku ai nuk ka qenë aq i fortë, dhe ka arritur një farë suksesi, veçanërisht pas debatit të fundit”.
Analisti politik në Institutin Brookings, Thomas Mann, thotë se Presidenti Bush do të duhet të përmirësohet në atë aspekt që shumë ekspertë, madje edhe në kampin e tij, e shikojnë si një paraqitje e vakët në debatin e parë. ”Sigurisht që Presidenti Bush do të jetë shumë më i kujdesshëm në lidhje me pamjen e tij, kur John Kerry të flasë. Pamjet e befta të tij, ndërkohë që John Kerry fliste, ishin aq fatale për të sa edhe për Al Gorin në debatin para 4 vjetësh. Kështu që unë mendoj se ai do të jetë më i disiplinuar dhe sigurisht do të jetë agresiv në vënien në pikëpyetje të biografisë së zotit Kerry dhe për ta akuzuar për mungesë koherence”.
Zoti Mann thotë se gjatë debatit të dytë, Presidenti Bush dhe Senatori Kerry do të përqendrohen në paraqitje konçize, por të vendosura të pozicioneve të tyre. Analistët thonë se të dy kampet e kuptojnë se votuesit e pavendosur që po përpiqen të tërheqin, po u kushtojnë vëmendje më të madhe çështjeve dhe qendrimeve të kandidatëve ndaj tyre.// lk //