Lidhje

Konferencë mbi përparimin e arritur në Kosove e Bosnje.  - 2004-10-18


Nëntë vjet pas nëshkrimit të marrëveshjeve të Dejtonit për Paqe në Bosnje dhe 5 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, bilanci është se bashkësia ndërkombëtare ka shpenzuar miliarda dollarë për ruajtjen e paqes, rimëkëmbjen ekonomike e shoqërore dhe ripajtim ndër etnik. Analistët thonë se disa përpjekje kanë qenë të suksesshme por disa të tjera jo. Kjo ishte edhe tema e një seminari dy ditor që u zhvillua këtë fund jave në Kolegjin e Bostonit, ku morën pjesë shumë ekspertë, ish ambasadorë, e analistë të çëshjteve rajonale. Konferenca u organizua nga Qendra për Zhvillimin Ballkanik.

Ambasadori Morton Abramovic e sheh te paqartë të ardhmen e Ballkanit. Jo për arsye se nuk e njeh situatën, thotë ai, por sepse dëshiron të tregohet më shumë skeptik dhe më pak optimist.

Maqedonia, sipas ambasadorit Abramovic, ka një gjendje deri-diku të qëndrueshme dhe pa lufte, por kryesisht si rezultat i përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe jo si rrjedhojë e ndonjë qeverisjeje të efekteshme

“E ashtuquajtura Serbia-Mali i Zi, krijim i zotit Havier Solan, është nje shtet i bashkuar që gjithkush e di që nuk funksionon,” tha zoti Abramovic.

Serbia, thotë analisti, mbizotërohet nga përçarjet politike, dhe ende nuk ka vendosur nëse i përket shekullit te 19-të apo të 21-të, duke iu referuar përplasjeve midis ultranacionalistëve dhe krahut reformator të spektrit politik në Beograd.

“Bosnje-Hercegovina, edhe pasi komuniteti ndërkombëtar ka shpenzuar miliarda dollare, per rindërtim e harmoni ndër etnike, veshtirë se mund të quhet një shtet që funksionon mbi baza të tilla dhe tani pas afro 10 vjetësh nga mbarimi i luftës, ende nuk ka ndoshta qoftë edhe një institucion që drejtohet nga të tre grupet etnike, myslimanët, serbët e kroatët, tha zoti Abramovic.

Ndërsa Kosova, qe ambasadori Abramovic e quan si dështim të një shteti që nuk ekziston, ka një qeveri të zgjedhur me vota të lira, por që nuk lejohet të qeveriset. Megjithëse e efekteshme në procesin e rindërtimit, kjo qeveri nuk është lejuar nga ndërkombetarët që të luajë të njëjtin rol në procesin e zhvillimit ekonomik.

Ambasadori Abramovic thotë se mendon që Kosova është kyçi për qëndrueshmëri dhe paqe. Sipas tij, megjithëse zgjedhja e çështjes së Kosovës mund të mos garantojë perparimin dhe paqen, mos zgjidhja e këtij problemi është me siguri garanci për pengimin e përparimit dhe paqes në Ballkan. Ambasadori Abramovic, ish nën sekretar amerikan i Shtetit për çështje të sigurimit thotë se Kosova duhet të dalë nga status quoja. Ai u bën thirrje vendeve të Grupit të Kontaktit që të shprehin hapur qëndrimin e tyre lidhur me statusin e këtij rajoni,

“Deri tani dihet vetëm një vend që është gati të marrë vendim mbi statusin përfundimtar, thotë ambasadori Abramovic; ky vend është Rusia e cila këmbëngul se Kosova është pjesë e Serbisë,” thotë zoti Abramovic.

Ambasadori Ambramovic, analist pranë institutit Century, Shekulli, është i mendimit që procesi për përcaktimin e statusit të Kosovës duhet të përfshijë bisedime që të zhvillohen në kohë të nddryshme në tri tryeza të ndryshme bisedimesh; së pari në keshillin e sigurimit, ku e ka zanafillën rezoluta 1244; së dyti në Grupin e Kontaktit ku bëjnë pjesë, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca, Gjermania, e Italia; dhe së treti në tryezën e bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, bisedime që sipas ambasadorit Abramovic nuk ka gjasa të zhvillohen derisa Kosova të ketë një qeveri me kompetenca të plota.

Se çdo të ndodhë pas kësaj vështirë të parashikohet, thotë ambasadori Abramovic. Grupi i Kontaktit duket se është i përçarë, po të kihet parasysh se muajin e kaluar ky grup, ku Rusia luan një rol të rëndësishëm, deklaroi se gjendja në Kosovë nuk mund të kthehet në rrethenat që ekzistonin para vitit 1999.

Analisti Abramovic gjithashtu shprehet skeptik se udheheqësit e Beogradit do të pranojnë të heqin dorë nga Kosova, madje edhe nëse Bashkimi Evropian i premton Serbisë antarësim në BE. Zoti Ambramovic thotë se ekzistenca e problemit të pazgjidhur të Kosovës është pasojë e mos nxjerrjes së mësimeve nga e kaluara. Së pari, thotë ai, mënyra e përfundimit të luftës në vitin 1999 pa rrëzuar më parë regjimin e Millosheviçit ndihmoi për mbajtjen gjallë të iluzionit serb se Kosova do të vazhdojë të mbetej pjesë e Serbisë.

“Pas rrëzimit të Millosheviçit, botës iu krijua një tjetër rast për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ose për ta bërë të qartë se ky rajon kurrë më nuk do të qeverisej nga Serbia. Por përsëri bota e shpërfilli këtë mësim duke menduar se reformistët e rinj në Beograd kishin mjaft probleme të tjera dhe nuk duheshin rënduar më çështjen e Kosovës,” tha zoti Abramovic.

Ky qendrim i cekët, dhe kjo politikë dritshkurtër e bashkësisë ndërkombetare solli atë që sot në Kosove quhet “Një paqe pa të ardhme,” thotë zoti Ilir Dugolli, këshilltar i kryeministrit Bajram Rexhepi. Zoti Dugolli, i cili po ndjek nje kurs pas universitar në universitetin amerikan, thotë se edhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u hartua mbi këto premisa të gabuara prandaj edhe duhet të vihet në pikëpyetje e të merret përsëri në shqyrtim, thotë ai. Zoti Dugolli shton se Kosova ka berë përparim në shumë drejtime, por ajo nuk i ka përmbushur parashikimet dhe shpresat e krijuara në periudhen menjëhere pas luftës.

Ndërsa analisti James Hooper, thotë se megjithëse Ballkani përfshin shumë çështje e probleme që mund të quhen evropiane dhe i takojnë Evropës për t'i zgjidhur, Shtetet e Bashkuara, ose cilido president që del nga zgjedhjet e nëntorit duhet të tregohen të kujdesshem në ruajtjen e balancës në politikën e tyre të jashtme. Kur merren me probleme të tilla, thotë analisti Hooper, politikanët amerikane duhet të mbajne parasysh dy gjera; se shqiptarët vazhdojnë të jenë kombi më pro-amerikan në Evropë; dhe e dyta se demokratizimi i Serbisë është domsdoshmëri për qëndrueshmëri në rajon.

Gjatë seminarit dy ditor në Boston, ndodhej i ftuar edhe analisti nga Kosova, Ylber Hysa. Zoti Hysa u nderua me çmimin humanitar Stari Most, nga Qendra për Zhvillimin e Ballkanit, organizatore e konferencës. I njëjti çmim iu dha edhe senatorit Jozef Biden i njohur për përpjekjet e tij për zgjidhjen e problemeve të rajonit.

Më pas zoti Hysa vizitoi edhe kishën orthodokse autoqefale shqiptare amerikane Shën Gjergji në Boston ku u takua edhe me kryetarin e kesaj kishe, at Artur Liolinin.

XS
SM
MD
LG