Lidhje

SHBA: Pensilvania-një ndër shtetet vendimtare në zgjedhjet presidenciale - 2004-10-25


Gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara është shumë e fortë këtë radhë dhe mund të vendoset nga rezultatet që marrin kandidatët në shtetet Florida, Ohio dhe Pensilvani. Presidenti Bush humbi me një diferencë të vogël në shtetin e Pensilvanisë në vitin 2000. Këtë radhë ai e ka intensifikuar fushatën në këtë shtet veri-lindor. Anketat tregojnë se rivali i tij demokrat, senatori Xhon Keri, ka tani një epërsi të vogël.

Dy qytetet më të mëdha të Pensilvanisë, Pitsburgu në perëndim dhe Filadelfia në lindje, janë mbështetëse të forta të partisë demokrate dhe pritet të votojnë për Senatorin Keri.

Zonat rurale dhe qytetet e vogla në qendër të shtetit janë kryesisht përkrahëse të presidentit Bush. Pritet që votat e këtyre zgjedhësve të barazojnë numrin e banorëve të qyteteve që votojnë për demokratët. Pra fitorja në këtë shtet mund të jetë në duart e një numri të vogël qytetesh, si Abington Township. Zgjedhësit në këtë zonë dhe në periferi të Pitsburgut janë të regjishtruar me Partinë Republikane, por në 3 zgjedhjet e fundit presidenciale shumica e tyre votuan për Partinë Demokrate:

“Shpesh periferitë janë vendimtare për rezultatin,” thotë Teri Madona, i cili merret me anketime për Kolegjin Franklin and Marshall në qytetin Lancaster, thotë se anëtarët e Partisë Republikane në periferitë e qyteteve të mëdha dallojnë nga konservatorët në zonat rurale:

“Ata janë më të moderuar, thuajse liberalë: mbrojtë të drejtën e abortit, martesat dhe të drejta të tjera për homoseksualët, kufizimin e shitjes së armëve dhe kufizimet që synojnë mbrojtjen e mjedisit,” thotë zoti Madona.

Asnjëri kandidat nuk i ka të sigurta votat e këtyre zgjedhësve, prandaj të dy rivalët po përpiqen të tërheqin sa më shumë prej tyre. I njëjti qëndrim ndiqet edhe në Luginën Lehigh, në veri të Filadelfias, ku gara është e fortë. Siç shpjegon analisti politik Kris Borik i Kolegjit Muhlenberg, kjo zonë është një pasqyrë e vogël e gjithë Amerikës:

“Ka tre zona urbane me zhvillim të madh: Allentown, Bethlehem dhe Easton. Kjo zonë ka edhe disa nga rajonet periferike me rritje shumë të madhe. Pranë tyre ka edhe zona rurale. Pra përbërja demografike e bën zonën shumë të ngjashme me gjithë Amerikën. Prandaj kjo Luginë është aq e përçarë sa i gjithë vendi,” thotë zoti Borik dhe shton se çdo votë është e rëndësishme.

Në qendrën e fushatës së zotit Keri në Allentown, vullnetarët përpiqen të bindin votuesit e pavendosur. Brian Souerwine është mësues në pension:

“Ne zhvillojmë telefonata bindëse, përpiqemi t’u japim hollësi mbi çështjet që mund t’i bindin të votojnë për Kerin,” thotë Brain.

Një grup që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, janë votuesit e rinj. Në qytetin Efrata, gjatë një panairi të zhvilluar kohët e fundit, Partia Republikane organizoi një fushatë për regjistrimin e votuesve të rinj. Anna Mae Ressler regjistroi 39 persona në një ditë dhe thotë me kënaqësi se 34 prej tyre kanë në plan të votojnë për presidentin Bush.

Presidenti Bush ka ardhur në Pensilvani afro 40 herë në katër vjet në përpjekje për të shtuar përkrahjen. Anketat tregojnë se ai gëzon përkrahje të fortë në radhët e veteranëve, të krishterëve të kishës evangjeliste dhe segmentit më të pasur të popullsisë në këtë shtet.

Senatori Keri ka epërsi në radhët e katolikëve, zgjedhësve të moderuar, votuesve të rinj dhe anëtarëve të sindikatave. Sindikatat shprehin zemërim që ky shtet ka humbur 160 mijë vende pune në sektorin prodhues që nga viti 2001.

Iraku është gjithashtu një çështje e rëndësishme pasi Pensilvania ka dërguar një numër të madh banorësh në radhët e forcave të armatosura. Iraku mund të jetë faktori vendimtar në këtë shtet, por rëndësi të madhe kanë edhe çështje të tjera si kujdesi shëndetësor. Analistët nuk bëjnë dot parashikime, por thonë se rezultati do të jetë i ngushtë.

XS
SM
MD
LG