Lidhje

Evropa vëzhgon fushatën presidenciale në SHBA me një interesim të paparë në histori - 2004-10-28


Ndërsa fushata presidenciale po i afrohet fundit, shumë evropianë shohin të dëshiruar përtej Atlantikut dhe shpresojnë se edhe ata mund të votojnë në garë.

Kjo është arsyeja që asnjëherë më parë në të kaluarën e afërmt, zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara nuk kanë sjell kaq emocione midis aleatëve tradicionalë të Washingtonit.

Administrata e presidentit Bush është tërësisht jopopullore në Evropë po të shohësh anketat e bëra nga Fondi gjerman Marshall ku tre në katër evropianë kundërshojnë politikën e jashtme të tanishme të Shteteve të Bashkuara.

Kjo anketë e zhvilluar muajin e kaluar, gjeti se antipatia e evropianëve për administratën e presidentit Bush ishte shkaktuar në pjesën më të madhe nga Lufta në Irak por e ka origjinën në masa të tjera si refuzimi i Washingtonit për Marrëveshjen e Kiotos për ambjentin. Gati çdo ditë, diku në Evropë shkruhet një editorial ku dënohet administrata e presidentit Bush për atë që evropianët e quajnë unileteralizm, dëshira për të vepruar të vetëm pa u konsultuar me aleatët.

Andrew Neil, botues i gazetës britanike The Scotsman thotë se vendimet që merr presidenti amerikan kanë ndikim tek evropianët ashtu si tek amerikanët.

"Evropa ka nevojë për udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, por Evropa kërkon gjithashtu ti dëgjohet fjala për këtë drejtim, që është edhe arsyeja pse shumë evropianë dëshirojnë të mund të ndikojnë në këto zgjedhje".

Një anketë e fundit e kryer nga 10 gazeta në mbarë botën, përfshi tre evropiane, nxorri përfundimin se në se evropianët do të votonin ata do të zgjidhnin me një rezultat të thellë zoti Kerry edhe në Britani.

Gazeta The Guardian, një e përditshme liberale britanike, u bëri thirrje lexuesve të saj këtë muaj t’u shkruanin qytetarëve në shtetin Ohio në përpjekje për t’i bindur ata të votonin për zotin Kerry. Por përpjekja për të influencuar në zgjedhje pati kundërveprim kur edhe vetë demokratët e kritikuan atë si një ndërhyrje nga jashtë.

Evropianët nuk e kuptojnë mënyrën komplekse amerikane për të zgjedhur presidentin, me rezultatin përfundimtar që vendoset nga sistemi i kolegjit elektoral dhe jo një-njeri-një-votë. Ata nuk e kuptojnë as arsyen përse presidenti Bush vazhdon të jetë kaq popullorë për gjysmën e amerikanëve.

Jeffrey Gedmin, një amerikan që drejton Institutin Aspen në Berlin thotë se është përpjekur t’u tregojë evropianëve se megjithëse vendimet e presidentit Bush mund të mos përputhen me vijën politike evropiane, presidenti flet gjuhën e zemrës së Amerikës dhe më e rëndësishmja ai ka botëkuptimin e tij për vizionin e Amerikës si një fuqi botërore.

"Ka shumë njerëz që e dëgjojnë dhe thonë, presidenti flet si ne. Ai thotë atë që mendon dhe bën atë që thotë. Shumë njerëz ofendohen nga kjo...Po të shohësh përshembull ministrin e jashtëm gjerman sot, John Kerryn dhe George Bushin për një çështje politike si Irani. Ata thonë të njëjtën gjë: ne nuk do të tolerojmë që Irani të ketë armë. Ndryshimi i madh midis tyre është se George W. Bush vërtet e bën atë".

Dhe kjo mund të jetë arsyeja që zoti Bush është bërë një figurë kaq e debatueshme në Evropë. Christine Ockrent, folëse në një televizion francez dhe autore e librit Bush-Kerry, Dy Amerikat, thotë se pavarësisht nga mos familiariteti me sistemin elektoral amerikan dhe dështimin për të kuptuar sesi sulmet e 11 shtatorit ndryshuan Amerikën, shumë evropianë ende shpresojnë që presidenti Bush të mundet më 2 nëntor.

"Ka një injorancë të madhe në Evropë, dhe sigurisht edhe në Francë, rreth sistemit politik amerikan por është e vërtetë se personaliteti dhe rrethanat në të cilat ka kaluar presidenca e zotit Bush kanë polarizuar çështjet në pikat më të skajshme".

Zonja Ockrent thotë se shumica e evropianëve dinë pak për senatorin Kerry apo për planet e tij. Por ajo shton se megjithatë ata preferojnë atë ndaj presidentit Bush dhe mendojnë se ai mund të sjellë atë që ajo e quan ndryshim në atmosferën e marrëdhënieve trans-atlantike.

Por publicisti britanik Andrew Neil thotë se evropianët nuk duket ta kuptojnë se zoti Kerry pavarësisht dalimeve do të ketë më shumë të përbashkëta me presidentin Bush sesa me presidentin francez Jacque Chirac apo kancelarin gjerman Gerhard Schroeder, kundërshtarët kryesorë të luftës në Irak.

"Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kerrin dhe Bushin. Është një ndryshim sistematik më i thellë se kaq. Amerika beson në përdorimin e forcës ushtarake pasi e ka atë. Amerika është superfuqi dhe ndjehet e kërcënuar. Evropa nuk ka forcë ushtarake sot dhe është kundër përdorimit të saj. Evropa pranon të punojë nëpërmjet institucioneve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare".

Dhe zoti Neil paralajmëron se ndryshe nga Evropa jofetare, Shtetet e Bashkuara janë një vend besimtar. Ai e sheh këtë si një sinjal të rëndësishëm se hendeku trans-atlantik do të zgjerohet, pavarësisht se kush do ti fitojë zgjedhjet.

"Për mirë apo për keq, Evropa dhe Amerika po shkojnë në rrugë të ndara.. Dhe zoti Kerry, në se ai bëhet president do ta ngadalësojë këtë ndarje. Në se zoti Bush bëhet përsëri president, kjo do ta shpejtonte".

Analistët evropianë bien dakort për një gjë, se as presidenti Bush as zoti Kerry nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë mbështetjen evropiane për një koalicion më të gjerë shumëkombësh në Irak për të pakësuar barrën e trupave amerikane.

//ze//

XS
SM
MD
LG