Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë thellësisht të interesuara për gjendjen në Kosovë, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Riçard Lugar. Bojkotimi i zgjedhjeve fundit në Kosovë nga pakica serbe, thotë ai, nuk e ndihmon procesin e zgjidhjes se statusit perfundimtar. Me Senatorin Lugar bisedoi kolegu Arben Xhixho. Fillimisht zoti Lugar ndalet në programin për shkatërrimin e agjentëve kimikë në Shqipëri, për të cilin administrata amerikane ka caktuar rreth 20 milionë dollarë.
Zëri i Amerikës: Shqipëria është vendi i parë jashtë bllokut ish sovjetik ku po zbatohet programi Nunn-Lugar për pakësimin e rrezikut. Përse Shqipëria?
Sen. Lugar Para dy vjetësh, unë bërë ta mundur miratimin e një amendamenti që lejonte përdorimin e fondeve të programit Nunn-Lugar edhe jashtë ish Bashkimit Sovjetik për gjetjen dhe asgjësimin e armëve të shkatërrimit në masë. Këtë vit, autoritetet e Shqipërisë vunë në dijeni Shtetet e Bashkuara dhe mua se në Shqipëri kishte armë të shkatërrimit në masë dhe konkretisht gaz nervor. Ata na thanë se dëshirënin ndihmën tonë prandaj më 27 dhe 28 gusht të këtij viti unë vizitova Shqipërinë dhe së bashku me zyrtarë ushtarakë shqiptarë dhe amerikanë, ne identifikuam materialet, me sa di unë 16 ton gaz nervor, sasi që ndodhet nën masa sigurimi, do të asgjësohet. Por ne kishim nevojë për leje të veçantë nga ana e Sekretarit Powell, të cilën ai na e dha në kohën që unë isha në Shqipëri. Patëm gjithashtu nevojë për firmën e Presidentit Bush për të garantuar se të gjitha kërkesat do të plotësoheshin.
Zëri i Amerikës: Zyrtarët amerikanë i kanë cilësuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën si të shkëlqyera. Megjithatë, Shqipëria vazhdon të jetë një vend i polarizuar thellë politikisht; korrupsioni është mjaft i përhapur dhe krimi i organizuar është shtrirë te klasa politike. A mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara më shumë për të nxitur demokracinë në Shqipëri?
Sen. Lugar Jam i sigurt se mund të bëjmë më shujmë, me ndihmën e shqiptarëve, të cilët dëshirojnë të shikojnë progres. Gjatë vizitës në Shqipëri, pasi mbarova me çështjen e armëve të shkatërrimit në masë, më bëri shumë përshtypje fakti që patëm takime të frytshme me kryeministrin, me ministrin e mbrojtjes, me ministrin e jashtëm, me udhëheqësit e parlamentit. Ata të gjithë ishin mjaft të vetëdijshëm për problemin e korrupsionit, me problemet e pronave si dhe për nevojën e vendeve të punës dhe të përparimit ekonomik. Ata më kërkuar që të përpiqem të ndihmoj Shqipërinë për të përfituar nga fondi i mijëvjeçarit, një mënyrë me të cilën Amerika ndihmon financiarisht vendet e tjera dhe Shqipëria është tashmë në listën e kandidatëve pikërisht për arësye të angazhimit të saj për të bërë reforma. Ata më kërkuan gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë një ambasador në Shqipëri, sepse ambasadori i mëparshëm, i cili ka punuar mjaft mirë, tani është dërguar për të ndihmuar në Irak. Unë u ktheva urgjentisht në fillim të shtatorit dhe ne tashmë kemi një ambasadore, Marcy Reis, e cila dëshmoi para komisionit tonë. Unë arrita të siguroj konsensusin unanim në senat dhe presidenti e ka emëruar atë tashmë për të shkuar në Shqipëri, ku ajo do të arrijë më 29 tetor. Ne jemi të kënaqur sepse ajo është një diplomate e dalluar e cila do të ndihmojë autoritetet shqiptare në këto reforma, për të cilat ata po punojnë me zell.
Zëri i Amerikës: Zgjedhjet e javës së kaluar në Kosovë treguan se ndarjet midis shqiptarëve dhe serbëve janë po aq të thella sa më parë. Ndërsa Kosova po i afrohet bisedimeve për statusin përfundimtar, çfarë roli mendoni se mund të luajnë Shtetet e Bashkuara? Në rajon ekziston një ndjenjë e përgjithshme se, që pas luftës kundër terrorizmit, Amerika nuk është më aq e angazhuar në këtë pjesë të botës. A është e aftë Evropa të merret me çështjen e Kosovës dhe a mundet që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol më të madh?
Sen. Lugar Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët e Natos. Ne kemi atje rreth 1,800 trupa, pra një të dhjetën e K-FOR-it. Për fat të keq, aktualisht trupat tona janë të dislokuara kudo në botë, me detyra të ndryshme. Megjithatë, amerikanët vazhdojnë të jetë thellësisht të interesuar dhe po ashtu shpresoj se edhe të gjithë anëtarët e Natos, ata evropianë dhe transatlantikë. Është folur shpesh se bisedimet për statusin përfundimtar do të fillojnë në mes të vitit 2005. Kjo mund të ndodhë por edhe mund të mos ndodhë po të kemi parasysh bojkotimin e zgjedhjeve që ju përmendët. Por kjo është një fushë ku Shtetet e Bashkuara do të vëzhgojnë me kujdes. Prania e një ambasadori amerikan do të jetë ndoshta shumë e dobishme për të pasqyruar mendimet tona këtu në Uashington.
Zëri i Amerikës: Shqiptarët në Kosovë mbështesin pavarësinë. Banorët serbë e kundërshtojnë atë me po aq pasion. Cili është mendimi juaj për pavarësinë si një prej zgjidhjeve përfundimtare të statusit të Kosovës? Sen. Lugar Me sa di unë, qendrimi aktual i Natos, si grup, është që Kosova të jetë pjesë e një vendi tjetër dhe jo një shtet i pavarur. Siç thashë, diskutimi për statusin përfundimtar mund të shtyhet për një kohë dhe zhvillimet mund ta ndryshojnë këtë. Unë mund të them se Shtetet e Bashkuara kanë një qendrim të pavarur nga Natoja, megjithëse ne marrim pjesë në operacionet paqeruajtëse me aleatët tanë të Natos.
Zëri i Amerikës: Pothuajse të gjithë serbët e Kosovës i bojkotuan zgjedhjet, të ndodhur edhe nën trysninë e Beogradit. Duket sikur serbët në Kosovë e gjejnë veten të kapur midis Beogradit, që kërkon ta mbajë Kosovën si pjesë të Serbisë dhe shqiptarëve që kërkojnë pavarësi. Duke mos marrë pjesë në zgjedhje, a e kanë dëmtuan serbët legjitimitetin e tyre për të marrë pjesë në bisedimet e pritshme për statusin përfundimtar?
Sen. Lugar Nuk mendoj se e kanë dëmtuar por është e qartë se kjo nuk e ndihmon procesin. Mendoj se të gjithë ne si vëzhgues të pavarur natyrisht që shpresojmë të ketë më shumë bashkëpunim dhe ne e kuptojmë hitorikisht se përse në fakt nuk ka bashkëpunim. Prandaj çështja është se si diplomatët të mund të krijojnë një situatë të tillë ku të mos ketë gjakderdhje, të mos ketë frikë nga njëri apo tjetri grup i popullatës nëse nuk ka mbikqyrje nga jashtë.
Zëri i Amerikës: Një pyetje për zgjedhjet e 31 tetorit në Ukrainë ju lutem. Presidenti Rus Vladimir Putin doli në televizionin e Ukrainës, gjë që u konsiderua si përpjekje për të ndikuar zgjedhjet. Mendimi i përgjithshëm është se zgjedhjet nuk do të jenë të lira e të drejta. Federata Ndërkombëtare e Helsinkit dhe Federata Ukrainase e Helsinkit u shprehën se Ukraina rrezikon të bëhet një shtet policor. Cili është mendimi juaj?
Sen. Lugar Jam shumë i shqetësuar për zgjedhjet, që janë të rëndësishme jo vetëm për Ukrainën por edhe për njerëzit kudo në botë, të cilët shpresojnë se demokracia dhe të drejtat e njeriut do të çohen më tej. E vizitova Ukrainën në fund të gushtit për t’u takuar me zyrtarët, si ata të parlamentit edhe ata të administratës. U takova me zotin Yushçenko, kandidatin kryesor të opozitës. Pata një bisedë të gjatë 25-minutëshe me presidentin Kuchma, të cilit i shpreha pikpamjet e mija, pikpamjet e amerikanëve se Ukraina meriton të ketë zgjedhje të lira e të drejta. E ardhmja e presidentit Kuchma ka shumë mundësi të vendoset nga fakti se si do të shkojnë zgjedhjet. Në zgjedhjet e zhvilluara në fillim të këtij viti pati shkelje të rënda të të drejtave civile, megjithë vëzhgimin ndërkombëtar, pra faktet nuk janë shumë optimiste, të paktën kohët e fundit dhe është e nevojshme që gjërat të ndryshojnë. Me duket se anketat e kryera nga disa organizata amerikane vëzhgimi tregojnë se zoti Yushçenko është në krye, por jo 50 me përqind, pra ka mundësi që zgjedhjet e 31 tetorit të pasohen nga balotazhi pas tre javësh. Gjatë kësaj periudhe do të ketë një farë padurimi për të pritur rezultatin por do të ketë edhe 4 mijë vëzhgues nga Evropa, SHBA dhe ndoshta nga vende të tjera, të cilët me praninë e tyre do të afirmojnë rëndësinë e demokracisë në Ukrainë. Shpresoj se ky mesazh është i qartë. I kamë dëgjuar të gjitha kritikat që vijnë nga të gjitha palët por ia kam borxh këtij vendi që t’i shpreh pikpamjet e mija ashtu si edhe shumë udhëheqës amerikanë. Pra kjo është diçka që ne e marrin shumë seriozisht. //az//