Shtetet e Bashkuara njoftuan dje se tani e tutje do t’i referohen Republikës ish Jugosllave të Maqedonisë me emrin Republika e Maqedonisë. Vendimi amerikan nxiti protesta të ashpra nga ana e Greqisë, e cila thotë se ky emërtim nënkupton pretendime territoriale ndaj krahinës së saj veriore të Maqedonisë.
Ky vendim i marrë nga Sekretari i Shtetit Kolin Pauëll, nuk ka ndonjë domethënie të rëndësishme praktike, pasi në shumicën dërrmuese të rasteve, zyrtarët amerikanë kanë përdorur thjeshtë emrin Maqedoni, kur i janë referuar këtij vendi ballkanik. Mirëpo, vendimi i Uashingtonit ka zemëruar aleaten e Shteteve të Bashkuara dhe të Natos, Greqinë, e cila kundërshton me forcë përdorimin e emërimit Maqedoni nga ky vend për shkak se nënkupton pretendime territoriale ndaj krahinës së saj veriore me njëjtin emër. Greqia pranoi anëtarësimin e këtij shteti të ri në Kombet e Bashkuara në vitin 1993 me kusht që ai të përdorë emrin Republika ish Jugosllave e Maqedonisë, gjë që u kundërshtua nga zyrtarët e Shkupit.
Zëdhënësi i Deparatmentit të Shtetit, Riçard Bauçer, tha se vendimi pasqyron mbështetjen amerikane për hapat që po bëhen për arritjen e një zgjidhjeje të qendrueshme të konfliktit midis shumicës maqedonase dhe pakicës shqiptare. Zoti Bauçer pranoi se vendimi amerikan u mor në këtë kohë për të shprehur mbështetjen për qeverinë maqedonase ndërkohë që po përgatitet për zhvillimin të dielën të një referendumi të rëndësishëm mbi planin poltik të decentralizimit. Propozimi, i hartuar në kuadër të kornizës së paqes të arritur në vitin 2001 në qytetin e Ohrit, do t’u jepte pushtet më të madh shqiptarëve dhe do ta bënte shqipen gjuhë të dytë zyrtare të vendit.
Zoti Bauçer tha se ata po përpiqen të tregojnë mbështetjen e tyre për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Ohrit, përfshirë decentralizimin. Kjo është pjesë e tyre e rëndësishme dhe është një nga subjektet e mbuluara në referendum. Ai tha se ata po përpiqen të tregojnë se rruga që ka ndjekur qeveria sjell qendrueshmërinë, pranimin dhe njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë dhe mbështetje për rrugën që ajo ka ndjekur për sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të Ohrit. Zoti Bauçer vuri në dukje se Maqedonia ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka pretendime territoriale ndaj Greqisë. Ai tha se duke njohur emrin e përzgjedhur dhe kushtetues të këtij vendi, Shtetet e Bashkuara kërkojnë të vënë në pah angazhimin e tyre për një shtet të përhershëm dhe shumë-etnik maqedonas brenda kufijve të tij ekzistues. Ai theksoi gjithashtu se vendimi nuk ishte i drejtuar kundër Greqisë dhe nuk duhet të ndikojë bisedimet e filluara që nga vitit 1993 nën kujdestarinë e Kombeve të Bashkuara midis Greqisë dhe Maqedonisë në lidhje me çështjen e emrit dhe çështjeve të tjera përkatëse.
Mirëpo, ministri i jashtëm grek, Petros Molyviatis, anulloi pjesëmarrjen në një takim të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe thirri ambasadorin amerikan në Athinë, Thomas Miller, për të protestuar kundër vendimit, për të cilin ai tha se ka pasoja negative të shumëfishta.
Sekretari i Shtetit Pauëll i telefoni homologut të tij grek dje për t’i dhënë shpjegime të mëtejshme rreth vendimit, ndërkohë që ambasadori amerikan në Shkup, Lawrence Butler, u takua me presidentin maqedonas, Barnko Cërvenkovski. Zoti Cërvenkocski e cilësoi vendimin amerikan si fitore dhe një ditë historike për Maqedoninë. //bsa//