Udhëheqësi palestinez Jaser Arafat vazhdon të jetë në gjendje kome në një spital ushtarak në Paris, ndërkohë që zyrtarë të lartë palestinezë janë mbledhur për të diskutuar të ardhmen pas tij.
Një zëdhënës i spitalit tha se shëndeti i zotit Arafat nuk është keqësuar më tej, dhe se ai është në gjendje të qëndrueshme.
Më parë në një intervistë për radion franceze, e dërguara palestineze në Francë, Leila Shahid hodhi poshtë njoftimet se udhëheqësi 75-vjeçar ndodhet në komë të pakthyeshme dhe është klinikisht i vdekur. Ajo tha se mjekët ende nuk e kanë diagnostikuar sëmundjen, por kanë përjashtuar një numër çrregullimesh dhe kancerin.
Ndërkohë që zoti Arafat vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, udhëheqësit e fraksioneve rivale palestineze u takuan sot në Rripin e Gazës, duke thënë se synonin t’i shmangnin ndarjet në fraksione.
Ndërkaq, zyrtarët izraelitë thanë se nëse zoti Arafat vdes, ai duhet të varroset në Gazë dhe jo në Jeruzalem, siç ka kërkuar vetë udhëheqësi palestinez.