Lidhje

Trupat amerikane dhe irakiane vazhdojnë operacionin në Falluxha - 2004-11-07


Mijëra trupa amerikane dhe irakiane po vazhdojnë sulmin kundër kryengritësve në Faluxhah, duke rrethuar kryengritësit e mbetur në pjesën jugore të qytetit para një sulmi përfundimtar. Bombardimet nga toka dhe ajri rifilluan të enjten pas një ndërprerje gjatë natës.

Lagjia veri-perëndimore Jolan, qendra e kryengritjes, është vënë nën kontrollin e forcave irakiane, shenjë kjo që tregon se kjo zonë është siguruar tashmë. Shefi i Shtatmadhorisë Amerikane, gjenerali Richard Myers tha sot se qindra kryengritës janë vrarë ose kapur që prej fillimit të operacionit të hënën mbrëma.

Gjatë këtij operacioni, ushtria njoftoi se 18 ushtarakë amerikanë u vranë dhe 69 të tjerë u plagosën. 5 ushtarë irakianë u vranë dhe 34 u plagosën. Ushtria amerikane thotë se dy helikopterë Cobra të marinsave janë rrëzuar pranë Falluxhës. Në të dy rastet, ekuipazhet janë shpëtuar të padëmtuar.

Luftëtarët që u larguan nga Falluxhah para fillimit të sulmit, si dhe ekstremistë të tjerë, janë hakmarrë kundër civilëve dhe forcave të sigurimit në pjesë të tjera të Irakut.

Në Bagdat, një makinë e fuqishme bombë shpërtheu sot afër një patrulle policore në një zonë tregëtare, duke vrarë të paktën 17 vetë dhe duke plagosur shumë të tjerë.

Në veri, në qytetin e Mosulit, ekstremistët sulmuan disa stacione policore, ku vodhën armë dhe shkatërruan ndërtesat. Trupat amerikane mbështetën policinë irakiane, duke kryer operacione në pjesën jugore të qytetit.

Në Kirkuk, të paktën 10 veta u plagosën si pasojë e shpërthimit të një makine bombë, që synonte vdekjen e guvernatorit provincial, i cili shpëtoi pa u dëmtuar.

Sabotatorët sulmuan gjithashtu një tubacion nafte, duke i vënë zjarrin.

XS
SM
MD
LG