Lidhje

Udhëheqësi palestinez Yasser Arafat u përcoll sot në banesën e fundit - 2004-11-12


Udhëheqësi palestinez Yasser Arafat u përcoll sot në banesën e fundit - një varr prej mermeri në kompleksin e tij në qytetin Ramallah të Bregut Perendimor.

Arkivoli i mbuluar me flamur u përcoll në varreza përmes një deti njerëzish të pikëlluar të cilët u mblodhën rreth helikopterit që solli trupin e tij nga një funeral shtetëror në Egjypt.

Policia palestineze qëlloi në ajër në përpjekje për të larguar turmën që thërriste emrin e zotit Arafat. Të paktën katër persona u plagosën me sa duket nga forcat e sigurimit.

Ndërkohë që trupi i zotit Arafat vendosej në varr, klerikët myslimanë recitonin vargje të Kuranit dhe njerëzit qanin duke përqafuar njëri-tjetrin.

Udhëheqësi palestinez 75 vjeçar vdiq të enjten në mëngjes në një spital të Parisit pas një sëmundjeje të shkurtër por ende të paidentifikuar.

Ai u varros sot në kompleksin Muqataa ku kaloi tre vitet e fundit të jetës së tij, pothuajse si i burgosur nga Izraeli. Zyrtarët palestinezë e patën të vështirë të kontrollonin skenën kaotike që u krijua në Ramallah kur trupi i zotit Arafat mbërriti nga Egjypti.

Ceremonitë në Kairo

Ceremonitë e përmortshme për Yasser Arafatin që u zhvilluan sot në Kairo, filluan me lutje dhe përfunduan me një procesion madhështor, gjatë të cilit udhëheqës të vendeve të ndryshme përcollën arkivolin të vendor në një shtrat topi.

Ceremonia u drejtua nga Sheiku i Madh i Egjiptit në një klub ushtarak privat. Ai u tha të pranishmëve se Arafati i shërbeu popullit gjithë jetën e tij deri sa i doli përballë zotit me guxim dhe ndershmëri.

E veja e zotit Arafat, Suha dhe vajza e tyre 9 vjeçare Zahwa, qanin ndërkohë që arkivoli u fut në avionin që po priste për ta kthyer udhëheqësin palestinez në Bregun Perëndimor.

Grupi i personaliteteve qendronte në heshtje ndërsa banda ushtarake ekzekutonte himnin palestinez dhe atë egjiptian. Masat e sigurimit ishin të rrepta dhe publiku nuk u lejua të afrohej.

Egjipti u zgjodh si vendi i ceremonive kryesisht për arësye sigurie dhe për shkak zoti Arafat kishte lindur në Kairo. Para dhe pas varrimit dhjetra mijëra palestinezë morën pjesë në shërbimet mortore që u mbajtën për udhëheqësin e tyre në mbarë Bregun Perëndimor dhe në Gazë.

XS
SM
MD
LG