Lidhje

Çështja Lesi: merren në pyetje Nano, Abdiu dhe Rakipi - 2004-11-12


Që prej ditës së mërkurë, Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku ka urdhëruar fillimin e hetimeve rreth dokumentit të lexuar në parlament ditën e hënë nga deputeti Nikollë Lesi, mbi përgjimin e një bisede të zhvilluar në 1997 mes kryeministrit Fatos Nano dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve të parlamentit të atëhershëm Fehmi Abdiu që i përfshin ata në një trafik armësh dhe në ndryshimin e një ligji me qëllim favorizimn e këtij trafiku.

Sipas deklaratës së shpërndarë sot pasdite, Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar një hetim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor. Grupi i prokurorëve të caktuar për këtë çështje ka nisur aktivitetin dhe ka marrë tashmë në pyetje disa prej personave të përfshirë, dy personazhet e bisedës së përgjuar, kryeministrin Fatos Nano dhe zotin Fehmi Abdiu. Në pyetje është marrë edhe ish Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi, pasi sipas dokumentit, kaseta origjinale dhe materiali i transkriptuar i bisedës i janë dorëzuar atij në kohën që drejtonte këtë institucion.

Prokuroria ka njoftuar se ka pyetur edhe Sokol Koçiun, i cili rezulton të ketë qenë personi që ka kryer transkriptimin, kur kryente funksionet e Shefit të Komisariatit të Kuçoves. Aktualisht, Sokol Koçiu ndodhet në brug, pasi ai është dënuar për trafik ndërkombëtar të drogës me 15 vjet heqje lirie. Sipas shtypit të këtushëm, Koçiut tashmë i janë ndaluar të gjitha takimet dhe komunikimet dhe ai po mbahet nën kontroll të rreptë.

Po sot, në prokurori duhej të paraqitej edhe deputeti Nikoll Lesi, por sipas njoftimit, ai ka konfirmuar se do të vihet në dipozicion të prokurorëve të martën e ardhshme. Zoti Lesi ka deklaruar që më parë se ai ishte hapur për çdo lloj hetimi dhe se ishte i gatshëm për të zbatuar me përpikmëri ligjet e vendit.

Por, ndërsa prokuroria po zhvillon hetimet, 35 deputetë të opozitës me në krye zotin Lesi, kanë dorëzuar kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor nga ana e parlamentit, ku përveç akuzës për përfshirje në trafik armësh, ata kërkojnë që kryeminisri të hetohet edhe për aksidentin e Shkallnuerit, si dhe për fyerje e poshtërim të ditës së zisë kombëtare më 15 tetor 2004.

Nuk dihet se si do të reagojnë socialistët ndaj kësaj kërkese. Nga ana e tij, kryeministri Nano ka deklaruar mbrëmë gjatë mbledhjes së kryesisë së partisë së tij, se do t'i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.// lk //

XS
SM
MD
LG