Lidhje

Historia e dy agjentëve të CIA-s - 2004-11-13


Ndërkohë që kongresi amerikan po shqyrton se si të strukturohet një sistem zbulimi më i efektshëm për vendin, korrespondentja jonë, Faiza Elmasry, bisedoi me dy ish-agjentë të CIA-s në lidhje me profesionin e tyre larg syve të publikut dhe çfarë mendojnë ata se duhet bërë për të përmirësuar zbulimin.

Larry Kolb ka lindur në një shtëpi agjentësh. Familja e tij ka lëvizur vazhdimisht kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj, ndërkohë që i ati drejtonte operacione kundërzbulimi në të gjithë Azinë, Evropën dhe Lindjen e Mesme. Por zoti Kolb zgjodhi biznesin si karrierë duke arritur të bëhej përfundimisht menaxher i disa sportistëve profesionistë, midis tyre legjenda e boksit Muhamed Ali.

Pas kësaj karriere të suksesshme zoti Kolb hyri në profesionin e familjes dhe shpejt u përfshi në operacione sekrete në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe Amerikën Latine. Kohët e fundit ai doli në pension dhe ka shkruar një libër me kujtimet e tij. Larry Kolb u tregon lexuesve se ndërkohë që mund të duket interesante të shkosh në vende të ndryshme e të punosh me indentitete të ndryshme, kjo është një punë me stres dhe e rrezikshme.

”Sepse ndëshkimi për spiunazhin gati në të gjithë botën, që prej shekujsh, ka qenë vdekja. Kjo të bën të jesh në gatishmëri të vazhdueshme. Përveç kësaj, është e vështirë psikologjikisht të bëhesh mik me një njeri tjetër - dhe ke rezultat vetëm nëse arrin të bëhesh mik i sinqertë me të - dhe pastaj ta tradhëtosh. Je i detyruar të veprosh kështu dhe kjo nuk është e lehtë”.

Zoti Kolb thotë se ai dhe kolegët e tij u kanë dhënë në dorë zyrtarëve amerikanë një armë të fuqishme gjatë Luftës së Ftohtë. Shërbimet amerikane të zbulimit, thotë ai, përballen sot me sfida të ndryshme në luftën kundër terrorizmit.

”CIA u ngrit për të luftuar Bashkimin Sovjetik dhe komunizmin në shkallë botërore dhe ruan ende atë strukturë që nga vitet 40 dhe 50. Mendoj se kemi nevojë për një agjenci të re, të ngritur për të përballuar kryengritësit myslimanë, të cilët janë kërcënimi më i madh për ne sot. Nuk mendoj se shërbimet amerikane të zbulimit kanë shumë agjentë në terren që e flasin gjuhën aq mirë sa të mund të veprojnë të padiktuar në zonat për të cilat ne jemi të interesuar”.

Ish-agjenti i CIA-s, Peter Earnst, që tani është drejtor i Muzeut të Spiunazhit në Washington, tërheq vëmendjen ndaj një sfide tjetër në këtë luftë të re: depërtimi në celulat terroriste.

”Terroristët veprojnë shpesh në celula tepër të vogla, shpesh të përbëra vetëm nga pjesëtarë të një familjeje. Është tepër e vështirë për një agjent të depërtojë në një grup të tillë. Një celulë mund të përbëhet nga dy vëllezër e një kushëri. Si mund të depërtosh në këtë celulë? Këtu qendron vështirësia. Ndërsa gjatë Luftës së Ftohtë, në shumë raste, ne e dinim se kush ishte agjenti i palëve kundërshtare apo oficerët e zbulimit dhe ne mund ta shfrytëzonim këtë. E kjo përbën një ndryshim të madh ndërmjet periudhës së Luftës së Ftohtë dhe të sotmes”.

Vetëm diçka nuk ka ndryshuar sipas zotit Earnst: fondet për zbulimin nuk mjaftojnë kurrë.

”Unë e di se për shumë vjet komuniteti i zbulimit nuk i kishte paratë e duhura për trajnim. Pas Luftës së Ftohtë disa thoshin se ’zbulimi nuk na hyn më në punë. Le të ulemi e të presim dhe nuk do të kemi nevojë të shpenzojmë’. Tani, papritur e pa kujtuar, të gjithë thonë se si ndodhi që nuk kemi më agjentë. Por tani është mjaft vonë. Siç mund ta kujtoni, ish-shefi i CIA-s, George Tenet, dëshmoi para Komisionit 11 shtatori se do të duhen pesë vjet të mira për të krijuar një brez të ri oficerësh zbulimi për atë lloj spiunazhi që na duhet”.

Javën e kaluar, pas zgjedhjeve, Presidenti Bush i bëri thirrje kongresit të miratonte një projekt-ligj për reforma efektive në sektorin e zbulimit. Si Dhoma e Përfaqësuesve edhe Senati e kanë miratuar këtë ligj, në bazë të të cilit do të ngrihet një qendër kundër terrorizmit dhe do të caktohet një drejtor i ri zbulimi që do të bashkërendonte pjesën më të madhe të agjencive jo-ushtarake të zbulimit. Por ende nuk është rënë dakord në lidhje me kompetencat e Drejtorit të Zulimit.

XS
SM
MD
LG