Lidhje

Ukrainë: Komisioni Qendror thotë se Kryeministri Janukoviç vazhdon të kryesojë me rezultat të ngushtë ndaj rivalit të tij, Jushçenko - 2004-11-22


Në Ukrainë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se Kryeministri Viktor Janukoviç vazhdon të kryesojë me rezultat të ngushtë ndaj Viktor Jushçenkos, kurse sipas anketave të zhvilluara në qendrat e votimit kryeson kandidati i opozitës.

Komisioni thotë se pas numërimit të afro 70 për qind të votave, kryeministri pro rus vazhdon të kryesojë me më pak se një për qind. Por, një anketë e zhvilluar në qendrat e votimit nga një grup kërkimor ukrainas tregon se kandidati pro perëndimor i opozitës ka fituar me 11 për qind të votave më shumë.

Fushata e kryeministrit Janukoviç i hodhi poshtë rezultatet e anketës duke i cilësuar si të pasakta dhe jo shkencore. Zoti Jushçenko i akuzoi autoritetet për mashtrim dhe u bëri thirrje përkrahësve të tij të protestojnë.

Komisioni i zgjedhjeve i bëri të ditura rezultatet e pjesshme ndërkohë që mijëra përkrahës të opozitës u mblodhën në Kiev duke paralajmëruar kundër manipumit të zgjedhjeve.

U deshën dhjetë ditë për të përcaktuar rezultatet e raundit të parë të votimit, për të cilin vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se nuk ishte zhvilluar në përputhje me standardet demokratike. //az//

XS
SM
MD
LG