Shkrimtari i njohur Ismail Kadare prej dy javësh po jep disa leksione për veprat e tij në universitetin Bard të shtetit të New Yorkut. Kolegia jonë Keida Kostreci shkoi para dy ditësh në këtë universitet, në ambjentet e të cilit, i mori një intervistë zotit Kadare. Shkrimtari i njohur tha se në Shqipëri, shoqëria duhet të shkëputet nga interesat e partive dhe t’i kushtohet interesave të vendit dhe shtoi se mosndërrimi i brezave të politikanëve në këtë vend, ka të bëjë me një mendësi feudale.
Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, juve keni ardhur këtu në Universitetin Bard për të mbajtur disa tema lidhur me tre nga librat tuaja. A mund të na thoni diçka më shumë për këtë universitet, qëllimin e këtyre temave dhe cilat janë librat tuaja që po diskutohen këtu?
Ismail Kadare: Bard kolegji është një universitet privat amerikan, shumë i dëgjuar në Shtetet e Bashkuara. Si të thuash ka një farë fame. Këtu përgatiten studentë që kanë veç të tjerash prirje për t’u marrë me jetën publike, që duan të bëhen shkrimtarë, filozofë, kineastë, artistë. Prandaj një herë në vit, këtu ftohet një shkrimtar i rrallë në botë, ngaqë është deri diku special për veprën e tij. Unë jam ftuar për tre romane të mia: Ura me tri harqe, Pallati i Ëndrrave dhe Lulet e Ftohta të Marsit, që janë studiuar në kurs dhe unë duhet të takohem me studentët për të diskutuar për to.
Zëri i Amerikës: Pas rreth një dekade e gjysmë tranzicioni në Shqipëri, ky vend është ende në një fazë të ndërmjetme. Cila pjesë e kësaj mendoni ju se është e pashmangshme, për shkak të periudhës së vështirë nga doli Shqipëria dhe cila i atribuohet vetë kushteve, ndonjëherë politikës dhe psikologjisë shqiptare.
Ismail Kadare: Pjesa a pashmangshme është ajo që pak a shumë ka qenë si sëmundje në të gjitha vendet ish-komuniste, kalimi natyrisht nga një rend komunist, që është një rend që unë do ta quaja feudalo-kumunist shumë të prapambetur, përnjëherësh në një rend demokratiko-kapitalist. Kështu që trauma është shumë e madhe. Janë dy botë krejtësisht të ndryshme. Njëra është botë pa liri, tjetra është me liri, pavarësisht se edhe kjo botë ka problemet e saj, sepse nuk ka botë ideale në këtë jetë. Kjo është trauma kryesore, domethënë është shumë e vështirë që një popull i tërë: i thjeshti, njerëzit që përbëjnë atë që quhet “elitë”, opinioni publik, etj, të gjitha këto të adaptohen kaq lehtë, të kalojnë si të thuash nga ky univers në një tjetër. Kjo është pjesa e pashmangshme. Kurse pjesa e shmangshme mendoj unë, që mund ta kishim kapërcyer ne, ka qenë një mungesë e një mendimi për fat të keq pozitiv, konstruktiv në Shqipëri, një mendim ndërtues. Klasa jonë politike ka qenë shumë e dalldisur pas partive, pas pasioneve të ngushta, të cilat shpesh në një mënyrë ose një tjetër kanë rënë ndesh me interesat e vendit. Këtë ne mund ta kishim kapërcyer më lehtë, siç e kanë kapërcyer vende të tjera. Ky mendoj se po bëhet problemi themelor në Shqipëri. Nuk lejohet më që këto pasione kaq shkatërruese, të jenë sunduese gjithmonë në Shqipëri. Mjaft më me atë frymën e partisë. Përpara quhej fryma e partisë se i përkiste partisë komuniste, tani ka me dhjetra parti dhe si të thuash është një lloj partie e shpërndarë si një xham i thyer në dhjetra parti të tjera. Shqiptarët më në fund duhet të kuptojnë që këto parti janë nën interesat e vendit. Për fat të keq nuk ndodh kështu.
Zëri i Amerikës: Megjithëse shpesh thuhet që protagonistët kryesorë të politikës shqiptare, janë edhe shkaktarët kryesorë të tensioneve politike atje, ata nuk largohen nga skena politike në Shqipëri me vullnetin e tyre. Pse mendoni se ndodh kjo, pse mendoni që këta protagonistë të skenës politike shqiptare, e shikojnë pushtetin si diçka të padorëzueshme?
Ismail Kadare: Kjo ka të bëjë me një psikologji feudale. Në Shqipëri ende vazhdon ajo që Evropa e ka njohur në mesjetë, ose pas mesjetës me formulimin lufta e qyteteve me feudalët. Kjo ka qenë një luftë e madhe që ka vazhduar me qindra vjet në Evropë. Ishte një luftë për jetë, ose për vdekje, ku më në fund qytetet arritën t’i mposhtin feudalët. Domethënë qytetërimi mposhti feudalizmin. Mirëpo feudalizmi shfaqet në lloj-lloj formash, sidomos në Ballkan. Për fat të keq Ballkani nuk e jetoi këtë luftë: luftën e qyteteve me feudalët, sepse ishte i pushtuar nga perandoria otomane. Kështu që ne kaluam përnjëherësh në sisteme si të thuash moderne, në fillim normale pak a shumë, siç është Mbretëria, apo republika e parë dhe pastaj në një sistem anormal gjysmëfeudal, që ishte komunizmi. Kështu që ne po e paguajmë këtë vonesë të madhe, këtë prapambetje të madhe që Evropa e ka kapërcyer me kohë. Evropa ka derdhur gjak për këtë. Nuk ka qenë e lehtë të shikojmë një mirëqenie në Evropë, një progres të madh. E gjitha kjo është paguar. Kështu që ne këtë gjë nuk e kemi bërë dhe në një farë mënyre e paguajmë ndryshe. Prandaj mendoj se nga kjo mbeturinë e një mendësie feudale në Shqipëri, vjen edhe mosndërrimi i brezave të politikanëve, sepse feudali është i përjetshëm, feudali është i lidhur me feudin e tij, nuk e lë dot atë. Ç’është demokracia? Në fund të fundit thelbi i demokracisë është tek kalimi i pushtetit pa dhunë: të mësohesh që pushteti të kalojë pa ia rrëmbyer tjetrit, pa e vrarë tjetrin pa i djegur shtëpinë, pa i djegur kullën, pa a shkatërruar. Por venë në ca kuti votimi, ku njerëzit hedhin një votë që është shpikur nga grekët e vjetër, 2 mijë e 500 vjet përpara dhe me atë votë ata vendosin që ky tani, mjaft ka mbetur në pushtet, do të vijë tjetri. Ky është thelbi i demokracisë, kalimi pa dhunë. Kurse mendësia feudale, mendësia komuniste, mendësia fashiste është që pushteti nuk kalon pa dhunë, pushteti duhet të kalojë me dhunë: me gjak, me vdekje, me shkatërrim. Sigurisht që nuk guxon kush në Shqipëri ta thotë një gjë të tillë, megjithëse nëpër dhëmbë e thonë disa herë unë kam dëgjuar, personalitete të partive të ndryshme që përmendin fjalët kryengritje, revoltë, ëndërrojnë atë vitin 1997, që për mua është turpi më i madh i Shqipërisë. Turpi do të vazhdojë për aq kohë sa Shqipëria nuk do të ulet ta analizojë atë vit. Sepse kur një popull nuk dëshiron të zhbirojë, të reflektojë për atë që ka bërë, të nxjerrë mësime, të pendohet, ai popull e ka të vështirë të ardhmen. Dhe Shqipëria është e detyruar të ulet, të shqyrtojë ndërgjegjen e saj, të shikojë ku i ka bërë gabimet, që shëmti të tilla të mos përsëriten më.
Zëri i Amerikës: Në shkrimet, apo në librat tuaja ju keni theksuar shpesh me forcë se shqiptarët janë pjesë e natyrshme Evropës. Ndërkohë po duket se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në strukturat evropiane po duket i vështirë. A mendoni se do të jetë shpejt e mundur integrimi i Shqipërisë në Evropë dhe bërja vërtet e Shqipërisë pjesë e këtij kontinenti?
Ismail Kadare: Këtu duhen ndarë mendoj unë dy gjëra: Populli shqiptar unë mendoj që sinqerisht e ka frymën, aspiratën evropiane, e ka të futur në genin e vet. Të gjithë shekujt që ka kaluar i ndarë nga Evropa, është një nostalgji e madhe, është kontinenti ynë mëmë. Nuk ka kontinent tjetër ku të vendoset Shqipëria, nuk ka qenë kurrë e vendosur në vend tjetër. Ka qenë e pushtuar nga një kontinent tjetër dhe është deformuar, sikurse janë deformuar të gjitha vendet e Ballkanit në një farë mënyre. Por më në fund ka shpëtuar nga kjo fatkeqësi. Aspirata evropiane e shqiptarëve është e natyrshme, e vërtetë e plotë. Dyshimi ose, kur them dyshimi jo se unë mendoj se ka politikanë që bëjnë komplot kundër Evropës, por objektivisht veprimet e tyre janë anti-evropiane. Kështu që ka mundësi që një ditë, parti të ndryshme në Shqipëri, që tani nuk guxojnë të dalin kundër Evropës, nuk janë ende kur Evropës, të bëhen kundër Evropës, sepse interesat klanike të tyre, stili jodemokratik i tyre, do t’i çojë kundër Evropës një ditë. Prandaj populli shqiptar duhet të jetë syçelët dhe një nga kërkesat që duhet t’u bëjë partive të veta është që t’i verifikojë a janë vërtet ato slogane që ata thonë, ato betime që bëjnë për Evropën, përkojnë vërtet me atë ç’ka bëjnë apo sloganet janë një lustër e jashtme dhe thelbi i veprimeve të tyre është krejtësisht antievropian, antidemokratik. Unë mendoj se në Shqipëri nuk ka njerëz, apo rryma serioze që janë kundër Evropës, por mund të ketë nëse kjo gjendje amullie e politikës shqiptare do të vazhdojë. Dhe këtu, thashë asnjë parti politike nuk guxon ta bëjë këtë gjë, nesër do të arrijnë ta bëjnë në qoftë se populli shqiptar do t’i lejojë.
Zëri i Amerikës: Si e shihni në kuadër më të gjerë rolin e shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet, që u konsideruan normale, ndërsa në Maqedoni pati një referendum që u hodh poshtë nga shumica, një zhvillim pozitiv për shqiptarët atje. Në këto kushte si do ta konsideronit, rolin e shqiptarëve në rajon?
Ismail Kadare: E para një herë, një popull e merr peshën dhe rëndësinë e vet, nga ajo çka ndjen ai për veten e vet. Në qoftë se një popull fillon e përçmon veten e vet, në qoftë se një popull fillon e vuan nga komplekset kundër vetvetes, sigurisht që ai do të përfundojë keq një ditë. Për fat të keq tek ne shqiptarët, për një kohë të gjatë, ky përçmim i vetvetes i ndikuar nga një përçmim i rretheve që nuk e kanë dashur Shqipërinë, nuk është fantazi kjo, sepse disa kujtojnë se është vazhdimësi e një lloj ideje të një komploti kundër shqiptarëve. Nuk ka vërtet gjithmonë komplot kundër shqiptarëve, siç mendojnë disa, por që ka patur në periudha të caktuara të historisë një veprimtari shumë konstante antishqiptare, kjo është e vërtetë. Megjithatë tani u sqarua përfundimisht, në fund të shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit të 21-të, se shqiptarët kanë peshë dhe janë të rëndësishëm në gadishullin ballkanik, shumë më tepër nga ç’është menduar nga të tjerët me dashakeqësi dhe nga ata vetë me mendjelehtësi. Shqiptarët janë popull kryesor në Ballkan, pa ata s’mund të zgjidhet asnjë problem. Kjo nuk duhet të na bëjë as mendjemëdhenj, as të na bëjë më modestë se ç’duhet. Nuk ka asnjë kuptim! Asnjë popull nuk duhet të vuajë nga këto dy komplekse. Prandaj më në fund shqiptarët, shtati i tyre po del në ato përmasat e tyre të vërteta dhe shqiptarët janë të rëndësishëm po aq sa janë grekët, po aq sa ç’janë serbët, por aq sa ç’janë bullgarët në Ballkan.
Pesa e dytë e intervistës me zotin Kadare transmetohet nesër (të enjten) në emisionin televiziv Ditari. Shkrimtari flet për ndryshimet në Evropën Lindore, gjendjen në Ballkan dhe marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.