Lidhje

Gratë amerikane në ushtri - 2004-12-04


Një numër gjithnjë e më i madh i femrave amerikane po hyjnë në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara për të shërbyer në një numër detyrash të ndryshme. Gjatë dekadës së kaluar, ato kanë thyer një nga pengesat e fundit të ushtrisë, duke hyrë në zonën e luftës. Zlatica Hoke njofton se ka mjaft mbështetje për femrat në këtë rol, por në të njëjtën kohë ka gjithashtu edhe shumë rezistencë.

Rrëmbimi dhe shpëtimi i ushtares Jessica Lynch gjatë fazave fillestare të Luftës së Irakut dhe përfshirja e mëvonshme e ushtares Lynndie England në skandalin e burgut Abu Graib, tërhoqi vëmendjen e botës tek gratë në ushtri. Chris Hanson, profesor gazetarie në Universitetin e Maryland, thotë se mbulimi që bën shtypi rreth femrave në shërbim është zakonisht i padrejtë.

“Femrat në ushtri paraqiten ose si shumë të pambrojtura ose të dobëta ose disi të çuditshme dhe jonormale.”

Profesor Hanson thotë se përqendrimi tek skandalet seksuale, përdhunimet dhe vështirësitë e tjera krijojnë përshtypjen se femrat më shumë pengojnë sesa ndihmojnë në suksesin e forcave të armatosura. Ai thotë se këto raporte janë stereotipe që ngadalësojnë përparimin e femrave në forcat e armatosura.

Megjithatë, femrat amerikane kanë arritur shumë që nga Lufta e Dytë Botërore kur 150 mijë prej tyre iu bashkuan Korpusin Ushtarak të Grave. Ato ishin të parat që shërbenin në Ushtrinë Amerikane përveç infermiereve. Sot, femrat përbëjnë 15 përqind të forcave të armatosura dhe mund të shërbejnë në shumë fusha.

Përafërsisht një në shtatë amerikanë që sherbejnë në Irak është grua. Përafërsisht tridhjetë kanë vdekur, pjesa më e madhe e tyre në luftë.

Elaine Donnelly, presidentja e Qendrës për Gatishmëri Ushtarake thotë se nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë femra në ushtri. Shumë prej tyre janë të martuara dhe janë nëna. Dhe ato po shkojnë të luftojnë në një mënyrë të paparë jo vetëm në historinë amerikane, por në historinë botërore.

Zonja Donnelly thotë se shumë njerëzve nuk u pëlqen t’i shohin gratë kaq afër vijave të armikut. Një komision presidencial i caktuar për të shqyrtuar çështjen e grave që shërbejnë në luftë në vitin 1992 gjeti se prania e tyre mund t’i pengojë më shumë sesa t’i ndihmojë trupat.

“Gratë nuk janë aq të gjata dhe aq të forta. Ato nuk kanë fuqi fizike sa kanë burrat. Dhe të vendosësh armatim trupor mbi një grua është ngarkesë shumë më e madhe sesa për një burrë.”

Elaine Donnelly, e cila ka qenë anëtare e komisionit presidencial thotë se çështja e pjesëmarrjes së grave në luftë bazohet në konceptin e mundësive të njëjta, çka është vlerë e rëndësishme amerikane, por e pazbatueshme për forcat e armatosura.

“Mund të përmbledh gjithçka duke thënë se ushtaret gra nuk kanë të njëjtën mundësi për të mbijetuar ose të ndihmojnë ushtarët e tjerë të mbijetojnë në një mjedis lufte.”

Disa vende si Holanda, Kanadaja dhe Danimarka i kanë hequr të gjitha kufizimet pndaj drave që shërbejnë në ushtri dhe një modë e tillë do të vazhdojë edhe në forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për sigurimin kombëtar, pjesa më e madhe e amerikanëve janë të mendimit se nevoja për mbajtjen e një ushtrie të fortë ka përparësi ndaj çështjes së mundësive të barabarta.//ii

XS
SM
MD
LG