Lidhje

Tiranë: takim i vendeve të Evropës Juglindore mbi luftën kundër trafikut të armëve  - 2004-12-14


Përfaqësues të strukturave të sigurisë së vendeve të Evropës Juglindore u mblodhën sot në Tiranë për të diskutuar rreth strategjive të përbashkëta në luftë kundër trafikut të armëve. Ky trafik, ndonëse më i ulët se ai i qenive njerëzore dhe i drogës, vazhdon të përbëjë problem për një rajon që ka vetëm pak kohë që ka dalë nga konfliktet dhe ku ka ende vatra të nxehta.

Takimi i sotëm në Tiranë u parapri nga arrestimi i djeshëm nga policia shqiptare i katër trafikantëve dhe i sekuestrimit të tre raketave tokë ajër.

Që prej disa vitesh vendet e Evropës Juglindore dhe strukturat e tyre të sigurisë janë organizuar në një qendër të vetme për të koordinuar veprime të përbashkëta në goditjen e krimit të organizuar. Disa operacione në të cilat janë përfshirë të gjitha shtetet e kësaj nisme, janë zhvilluar për të goditur trafiqe të ndryshme të rrjeteve që veprojnë në rajon, ku veprojnë grupe të ndryshme kriminale të drogës, prostitucionit, vjedhjes së makinave e ku veprojnë edhe trafikantët e armëve.

Aleksandër Ionash, shefi i Departamentit të Mbështetjes Operacionale të Seci-t, nismës së përbashkët rajonale, tha sot se ky trafik vazhdon të jetë shqetësues për rajonin, shumë vende të të cilit sapo kanë dalë nga konfliktet ku shumë armë janë marrë dhe janë përdorur. Edhe një herë është theksuar fakti se kriminelët vazhdojnë të jenë një hap përpara strukturave shtetërore përsa i përket organizimit dhe funksionimit të tyre; prandaj theksoi ai, duhet që shtetet e Evropës Juglindore t'i bëjnë një opozitë të fortë këtij fenomeni.

Ndërsa përfaqësuesi Minisrisë shqiptare të Rendit pranë Seci-t, shpjegoi se trafiku i armëve zhvillohet nga vendet e rajonit drejt atyre perëndimore, ku dërgohen armatimet lokale, por edhe anasjelltas, pasi grupet kriminale marrin nga vendet e zhvilluara prodhimet e fundit të armëve.

Në Shqipëri, fenomeni i trafikut të armëve është ushqyer veçanërisht pas vitit 1997, kur u shpërthyen 1300 depo të ushtrisë dhe në duart e popullsisë përfunduan mbi gjysëm millioni armë dhe disa qindra milionë lloje municionesh. Sot, pas 7 vjetësh, është arritur të grumbullohen mbi 38 përqind e armëve dhe një sasi më e vogël e municioneve duke mos llogaritur këtu sasitë e mëdha që shkuan në Kosovë gjatë periudhës së konfliktit.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shqiptare Bajram Ibraj, nëse deri para pak vitesh fenomeni i trafikut kishte si destinacion shumë shtete të rajonit të Ballkanit, sot ai është kufizuar vetëm në linjat me Malin e Zi dhe Maqedoninë. Jo më larg, por dje, policia shqiptare sekuestroi tre raketa tokë-ajër, që përdoren për goditjen e helikopterëve dhe avionëve që fluturojnë në kuota të ulta. Ato ishin nisur nga Mali i zi dhe kishin si destinacion një vend jashtë Shqipërisë.

Sipas shtypit të këtushëm, raketat ka shumë gjasa që të ishin porositur për t'u dërguar në Maqedoni. Por drejtori Ibraj nuk pranoi të jepte asnjë hollësi për shkak të hetimeve në vazhdim siç tha ai. Zoti Ibraj u kujdes më së shumti të përgënjeshtronte shtypin e sotëm për lidhjet e tij farefisnore me një prej trafikantëve të arrestuar. Ai tha se nuk bëhej fjalë për një kushëri të afërt, por por një lidhje të largët gjaku me të.

Përfundon greva e pedagogëve

Në Shqipëri pas gati 4 javësh është mbyllur sot greva e profesorëve të Universiteteve.

Ata njoftuan përfundimin e protestës pas një takimi tjetër që patën me Ministrin e Arsimit Luan Memushi dhe Ministrin e Shtetit Marko Bello. Profesor Ismail Hoxha i cili kryesoi përfaqësinë e pedagogëve grevistë the se qeveria është angazhuar të plotësojë të gjithë kërkesat e tyre. Kështu është kapërcyer edhe pengesa për fondet e rritjes së pagave të pedagogëve.

Qeveria ka pranuar që ajo të realizohet plotësiosht nga buxheti i shtetit, me një kosto prej mbi 6 milion dollarë, pa prekur të ardhurat dytësore të vetë Universiteteve.

Profesor Hoxha shpjegoi se qeveria është angazhuar të realizojë plotësisht autonominë financiare dhe institucionale të Universiteteve dhe se për këtë është lënë një afat deri në fund të muajit shkurt. Greva e profesorëve shqiptar është protesta më e gjatë që ka përfshirë ndonjëherë sistemin e lartë arsimor në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG