Lidhje

Bugajski: Standartet të pamundura për tu përmbushur - 2004-12-21


Një analist i shquar i çështjeve të Ballkanit thotë se bisedimet me Beogradin nuk do të jenë vendimtare në përcaktimin e statusit përfunditar të Kosovës por nëse Gjykata e Hagës do të ngrerë aktpadi ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, pala serbe do ta përdorë atë si justifikim për të vonuar procesin e negociatava. Eksperti i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike, Janush Bugajski tha se standartet janë të pamundura të përmbushen në kushtet e tanishme dhe se pavarësia e Kosovës është një proces që kërkon angazhim më të madh nga qeveria dhe populli i Kosovës. Me zoti Bugajski bisedoi kolegia Rudina Dervishi.

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski qeveria e Kovosës ka në krye një kryeministër të ri, zotin Ramush Haradinaj ndërkohë që ka patur debate lidhur me emërimin e tij në këtë post. A mendoni se ekziston ndonjë rezik në negociatat me Beogradin, në negociatat e ardhshme?

Janusz Bugajski: Nuk mendoj se bisedimet me Beogradin do të jenë vendimtare në përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Ky vendim duhet të merret nga komuniteti ndërkombëtar. Kemi parë se Beogradi gjithmonë ka përdorur justifikime për të mos zhvilluar bisedime apo për të fajësuar palën shqiptare se nuk po vepron dhe negocion me qëllim të mirë. Por shumica e bisedimeve trajtojnë çështje që nuk janë kryesore për të ardhmen e vendit. Ata do ta përdorin çështjen e Haradinajt, në se ai akuzohet nga Gjykata e Hagës, nuk e dimë në se do të ndodhë një gjë e tillë, për të akuzuar autoritetet kosovare si antiserbe, jo të besueshme dhe jo të ligjshme. Zoti Haradinaj ka vepruar drejt duke bërë deklarata se është i gatshëm për të biseduar me Beogradin por edhe për të përfshirë më shumë pakicat serbe në Kosovë. Përsa i takon çështjes së krimeve të luftës, ajo është vetëm në dorën e Hagës, por përgjigja ime do të ishte në se serbët do të bisedojnë në se duan të bisedojnë dhe në se nuk duan, do të gjejnë një justifikim.

Zëri i Amerikës: Strategjia standarte para statusit, a mendoni se është ende e vlefshme në një kohë që serbët vazhdojnë të bojkotojnë institucionet dhe grupet e punës për zbatimin e standarteve?

Janusz Bugajski: Është problem pa rrugëdalje, pasi nuk mund të përmbushësh standartet pa patur bashkëpunimin të plotë, pikë së pari nga pakica serbe dhe së dyti duke mos patur fuqinë për të implementuar standartet, që qeveria tani për tani nuk e ka. Mendoj se nga tani e deri në verën e vitit të ardhshëm do të ketë një lloj sintetizimi për fushat ku duhet të punohet më shumë dhe për standartet kryesore që duhet të plotësohen. Mbi këtë bazë do të bëhet vlerësimi në verë i përparimit të arritur në Kosovë. Mendoj se është e padrejtë të presësh që një qeveri që nuk ka autoritet të plotë, nuk ka bashkëpunimin e pakicës të realizojë çdo gjë që i është vënë përpara. Mendoj se do të ketë një lloj procesi konsolidimi të fushave kryesore ku duhet të përqëndrohen. Nga ana tjetër gjatë muajve të ardhshëm qeveria duhet të tregojë vullnet të mirë në arritjen e disa objektivave veçanërisht për të drejtat e pakicave.

Zëri i Amerikës: Si do ta këshillonit ju qeverinë e re të Kosovës për tu përballur me këto sfida?

Janusz Bugajski: Do ti këshilloja të ishin shumë të hapur. Të thonë se jemi shumë dakort të plotësojmë këto standarte por të ndalen pikë për pikë në secili standart dhe të thon:; për të realizuar këtë standart na duhen këto kompetenca, ky lloj autoriteti, ky lloj bashkëpunimi dhe kjo shkallë përfshirje e komunitetit ndërkombëtar. Kështu mund të fillojnë të punojnë për ato standarte që mendojnë se mund ti realizojnë gjatë këtyre pak muajve që kanë mbetur pasi disa të tjera do të duan ndoshta më tepër kohë. Qeveria duhet të jetë shumë e ndershme me komunitetin ndërkombëtar për ato çfarë mund të arrijë dhe në të njëjtën kohë të tregojë vullnetin e mirë si ndaj ndërkombëtarëve edhe pakicave se po përpiqet të bëj diçka. Nuk mund ti detyrosh me forcë pakicat të hyjnë në institucione në se nuk pranojnë. Atëherë kjo detyrë mbetet e komunitetit ndërkombëtarë dhe jo e tyrja.

Zëri i Amerikës: Roli i Shteteve të Bashkuara në procesin politik të Kosovës ka qënë sipas mendimit tuaj në nivelin e duhur, a do të presim një rritje të këtij roli vitin e ardhshëm?

Janusz Bugajski: Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol sigurisht por unë do të doja që ato të luajnë një rol më të madh sesa deri tani. Me fjalë të tjera të luajnë një rol më të dukshëm në marrjen e vendimeve për Kosovën. Shumica e popullsisë së Kosovës respekton Shtetet e Bashkuara, vazhdon ta shohë me dyshim Bashkimin Evropian dhe nuk ka edhe aq besim tek Kombet e Bashkuara. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara kanë ndikim shumë të madh dhe kapital të madh politik në vend që mund ta përdorin për të zgjidhur çështjen e statusit përfundimtar dhe ta çojë përfundimisht Kosovën në rrugën drejt integrimit në Nato dhe Bashkimin Evropian. Do të presim deri në pranverë për të parë një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara. Mendoj se Amerika do të kërkojë të jetë më e përfshirë në proces dhe kjo është një fushë ku mund të arrihen kompromise midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Në bisedat me zyrtarët e Bashkimit Evropian dëgjon se ata kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol më të madh dhe jo ti përjashtojnë ato nga procesi.

Zëri i Amerikës: Kosovarët presin me ngut pranverën e vitit 2005. Cilat janë parashikimet tuaja, çfarë do të sjelli 2005sa për Kosovën?

Janusz Bugajski: Unë nuk do të prisja pranverën, pasi lulet nuk çelin po nuk i kultivove. Ata duhet të përgatiten ashtu siç thashë edhe më parë, që kur ndërkombëtarët të fillojnë të vlerësojnë standartet të shohin vendosmërinë dhe vullnetin e mirë të qeverisë për të përmbushur pjesët më të rëndësishme të këtyre standarteve dhe të vazhdojë ti përmbushë ato pas pranverës. Pavarësia e Kosovës nuk do të ndodhë menjëherë. Ky është një proces dhe qeveria dhe populli i Kosovës duhet të përfshihen në këtë proces.

XS
SM
MD
LG