Lidhje

Kosovë: Mesazhe urimi me rastin e Krishtlindjeve - 2004-12-24


Ipeshkvi i Kosovës, imzot Mark Sopi uroi sot besimtarët katolikë duke u kujtuar atyre se fjala Krishtlindje do të thotë "Mesha e Krishtit".

“Krishtlindjet janë kohë kur njerëzit tradicionalisht vizitojnë miqtë dhe familjarët, i gëzohen besimeve të tyre dhe kujtojnë vitin e shkuar. Dhe ndoshta më e rëndësishmja, është kohë që të kujtohet porosia e Krishtlindjeve për “Paqe në Tokë dhe vullnet të mirë ndaj gjithë njerëzve”, theksoi ipeshkvi në urimin e tij.

Zëvëndëskryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Lari Rosin, thotë në urimin e tij se Krishtlindjet janë kremtim i dashurisë ndërmjet të gjithë njerëzve, i faljes dhe i bujarisë.

“Është rast për të bërë përpjekje të posaçme për të tejkaluar dallimet individuale dhe për të mbështetur nevojtarët. Ta shfrytëzojmë këtë kohë drejt atyre qëllimeve gjersa punojmë bashkë për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thekson zoti Rosin në mesazhin e tij në emër të administratës ndërkombëtare në Kosovë, duke uruar që paqja, gëzimi dhe shpresa të mbretërojnë gjatë kësaj kohe të veçantë dhe gjatë tërë vitit 2005.

Presidenti Ibrahim Rugova vë në dukje se festa e Krishtlindjeve është Ditë e lindjes së Krishtit, ditë e lindjes dhe e forcimit të besimit tek Zoti, si dhe në të mirën e në sakrificën njerëzore.

“Është ditë e lindjes së besimit, e paqes dhe e mirëkuptimit midis nesh”, thotë ai duke uruar njëkohësisht për Krishtlindjet edhe komandantët dhe ushtarët e KFOR-it, NATO-s, UNMIK-ut, OSBE-së dhe përfaqësive diplomatike në Prishtinë."

Kryeministri Ramush Haradinaj thotë në urimin e tij se kjo ditë është festë e ringjalljes, hapjes së zemrës, dhënjes së ndihmës dhe shtrirjes së dorës vëllazërore ndaj njëri-tjetrit.

“Le të jetë kjo festë një ditë kur i përkushtohemi edhe më shumë njëri-tjetrit dhe i forcojmë lidhjet me të afërmit, miqtë dhe me të dashurit tanë. Le të jetë festë e forcimit të solidaritetit, miqësisë, dhe tolerancës sonë të pashterrshme ndërfetare”, thekson kryeministri duke kërkuar që kjo festë e madhe të shërbejë si përkujtim për mirëkuptimin, besimin, paqen dhe drejtësinë në botë si dhe të sjellë mbarësinë dhe begatinë në familjet kosovare.

Besimtarët katolikë i kanë uruar për Krishtlindjet edhe muftiu i Kosovës Naim Tërnava, Partia Demokratike e kryesuar nga Hashim Thaci dhe të tjerë. Mesha kryesore e natës së Krishtlindjeve pritet të mbahet sonte në kishën e Shën Ndout në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG