Lidhje

2004-a viti më vdekjeprurës për gazetarët  - 2004-12-30


2004-a ishte viti më vdekjeprurës për gazetarët në më shumë se 10 vjet. Të paktën 55 gazetarë u vranë në detyrë. Por përveç përballjes me vdekjen, gazetarët janë shpesh objekt kërcënimesh ligjore dhe trysnive nga qeveri që përpiqen të shtypin zërin e tyre të lirë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brent Hud, u hedh një vështrim vendeve në botë që po shtojnë trysninë ndaj mjeteve të informimit.

Profesioni i gazetarisë mund të jetë i rrezikshëm. Shumica e gazetarëve të vrarë në vitin 2004, ishin në zonat e konflikteve dhe afro gjysma e tyre vdiqën në Irak. Të tjerët u vranë si rezultat i punës së tyre.

Zëvendës drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Joel Simon, thotë se punonjësit e mjeteve të informimit përballen edhe me sulme të tjera. ”Një tjetër rrezik është një qeveri autoritare që përdor fuqinë shtetërore për të kontrolluar veprimtarinë e gazetarëve dhe artikujt që botojnë gazetat. Kjo ndodh në Kinë, ku 42 gazetarë ndodhen në burg, më shumë se në çdo vend tjetër në botë.”

Autoritetet kineze arrestuan pesë gazetarë këtë vit. Shumë prej tyre janë burgosur për kritika ndaj Partisë Komuniste. Një numër në rritje janë arrestuar për publikime në internet. Shao Çiang është drejtor i Programit të Internetit për Kinën,pranë Universitetit Berkley të Kalifornisë. ”Ndryshe nga mjetet e tradicionale të informimit, tani ka njësi tregtare dhe faqe personale ne internet. Kështu që është bërë më e vështirë për autoritetet kineze të bëjnë që informacionet në internet të shprehin atë që ato dëshirojnë. Ky është konflikti më i tensionuar ndërmjet kontrollit qeveritar dhe lirisë së shprehjes.”

Numri i sulmeve fizike është rritur dramatikisht ndërkohë që një numër në rritje gazetarësh u përballën me ndëshkime për veprimtarinë e tyre. Joel Simon i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se kërcënimet për veprime ligjore kundër gazetarëve marrrin forma të ndryshme në vende të ndryshme. "Përshembull në Rusi, qeveria përdor kryesisht ligjet e taksave për të marrë nën kontroll mjetet kundërshtar të informimit. Ne shohim që qewvveritë në gjithë Evropën Lindore përdorin legjislacion ndëshkues kundër gazetarëve".

Analist Sebastian Brett i organizatës Human Rights Watch flet rreth një ligji kontradiktor për mjetet e informimit që është miratuar këtë vit në Venezuela. ”Stacionet që reklamojnë, arsyetojnë ose nxitin trazirat publike ose kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare, mund të mbyllën për 72 orë dhe nëse e përsërisin, pronarët mundë të humbasin kontrollin e stacionit deri në pesë vjet. Ky ligj, thotë analisti, është një ndëshkim mizor, për atë që cilësohet një veprim i paqartë.”

Ky ligj është hapi i fundit në betejën e gjatë mes presidentit Hugo Chavez dhe mjeteve venezuelase të informimit që e kanë kritikuar zotin Chavez prej kohësh, kryesisht gjatë një greve të përgjithshme që e rrëzoi atë për pak kohë nga pushteti në vitin 2002.

Madje edhe nëse nuk janë drejtëpërdrejt kërcënuese, këto ligje krijojnë një mjedis të frikshëm, ku gazetarët mundë të censurojnë vetë punën e tyre për të mbrojtur jetën. Megjithatë, disa gazetarë në mbarë botën do të vazhdojnë të përballen me burgime, plagosje e bile edhe me vdekje në përpjekje për të informuar publikun rreth ngjarjeve të caktuara.

XS
SM
MD
LG