Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan vizitoi zonat e prekura nga cunami në Sri Lankë, ku banorët ende po përpiqen të kapërcejnë pasojat e shkatërrimit që la pas katastrofa e 26 dhjetorit.
Zoti Annan fluturoi sot me helikopter nga qyteti jugor Galles deri në qytetin lindor të Hambantota, ku zbriti për të parë dëmtimet me kryeministrin e Sri Lankës dhe presidentin e Bankës Botërore, i cili tha se Banka mund të japë deri në 1, 5 miliardë dollarë ndihma për cunamin.
Zyrtarët amerikanë dhe udhëheqës të tjerë që kanë vizituar zonat e prekura bregdetare gjatë ditëve të fundit kanë shprehur tronditjen nga niveli i shkatërrimit dhe kanë theksuar nevojat urgjente për furnizime në ndihmë të të mbijetuarve.
Donacionet publike dhe private për përpjekjet e ndihmave e kalojnë shumën e 5 miliardë dollarëve dhe vendet më të zhvilluara të botës kanë rënë dakort të pezullojnë pagimin e borxheve nga vendet e prekura, të cilat arrijnë disa miliarda dollarë.
Numri i viktimave nga cunami dhe tërmeti vazhdon të rritet. Pjesa më e madhe e numrit të konfirmuar prej 153 mijë të vdekurish janë nga ishulli Sumatra i Indonezisë. Zyrtarët e shëndetësisë shqetësohen se sëmundjet dhe plagët e marra nga cunami mund ta rrisin edhe më tej numrin e viktimave.