Lidhje

Komisionerja e re e marrëdhënieve me jashtë në BE, sjell në Washington mesazhin e bashkëpunimit - 2005-01-14


Një zyrtare e lartë e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ishte në Washington për kontaktet e para me administratën amerikane që pas zgjedhjeve të nëntorit. Ishte gjithashtu vizita e parë e zonjës Benita Ferrero-Waldner në detyrën e Komisioneres për marrëdhëniet me jashtë e Bashkimit Evropian në Shtetet e Bashkuara.

Pas një periudhe të vështirë në marrëdhëniet mes Amerikës dhe disa vendeve të Evropës që nga fillimi i luftës në Irak, zonja Waldner kishte sjellë me vete në Washington mesazhe bashkëpunimi dhe shprese për ripërtëritjen e këtyre marrëdhënieve.

Komisionerja Benita Ferrero-Waldner tha në takimin me shtypin se ka ardhur tashmë koha që të lihen mënjanë mosmarrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës dhe se ndodhej në Shtetet e Bashkuara edhe për të përgatitur vizitën e presidentit Bush në Bruksel në shkurt.

“Jam veçanërisht e kënaqur që ndodhem këtu, sepse besoj se është momenti i duhur. Marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Shtetet e Bashkuara, aktualisht po kalojnë një periudhë ripërtëritjeje. Kemi një administratë të re të Presidentit Bush, një komision të ri të sapokrijuar, kështuqë ne mendojmë se ka një rëndësi të madhe që Presidenti Bush po e bën vizitën e tij të parë pas inaugurimit në Bruksel”.

Ish-Ministrja e Jashtme austriake, përmendi si shembuj të bashkëpunimit të kohëve të fundit, krizën e Ukrainës dhe reagimin pas tsunamit. Ajo përdori gjithashtu tone më të zbutura për Irakun, sesa paraardhësi i saj britanik Chris Patten.

Zonja Waldner përmendi si shembuj të kaluar për bashkëpunim transatlantik, luftën në Afganistan dhe Ballkan.

Pikërisht duke folur për angazhimin e Bashkimit Evropian në Ballkan, komisionerja Walden tha se afrimi i vendeve të rajonit me organizatën evropiane, do të varet nga përpjekjet e atyre vetë për përparim dhe e vuri theksin tek Kosova.

“Duke folur për Ballkanin, sigurisht që ka shumë çështje të hapura, veçanërisht për Kosovën dhe sidomos për statusin e ardhshëm të saj. Ne e dimë që viti 2005 do të ketë zhvillime interesante, por sido që të shkohet më tej, unë nuk duhet të harrojmë se vendi i Kosovës është në Evropë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe çfarëdo që të sjellë e ardhmja, Kosova nuk duhet të lejohet të jetë e izoluar nga pjesa tjetër e rajonit, që ka hyrë në rrugën e integrimit në Bashkimit Evropian”.

Ajo theksoi se për këtë arsye se ishte e rëndësishme që Komisioni Evropian dhe paraardhësi i saj, Kris Paten krijuan një mekanizëm për të ndjekur përparimin atje, për të garantuar që edhe Kosova të mos mbetet mbrapa vendeve të tjera të rajonit që aspirojnë anëtarësimin e Bashkimit Evropian. Mes këtyre vendeve është edhe Shqipëria.

“Për Shqipërinë, në përgjithësi mund të them që sigurisht ne duam të shohim përparim të mëtejshëm dhe pa dyshim që do të punojmë në këtë drejtim”.

Komisionerja nuk pranoi të jepte një afat kohor për periudhën që mund t’u marrë vendeve të Ballkanit për procesin e integrimit.

“Kjo do të varet nga vetë vendet. Ky proces është kryesisht në dorë të vetë këtyre vendeve. Sa më shumë përpjekje të bëjnë këto vende, aq më shumë ato ia shtojnë vetes shanset që të afrohen sa më shumë me Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Zonja Waldner zhvilloi të enjten gjatë gjithë ditës takime me zyrtarët amerikane, përfshirë Sekretarin e Shtetit Colin Powell, Këshilltaren e Sigurisë Kombëtare Condoleeza Rice dhe nën-sekretarin e Mbrojtjes Paul Wolfowitz.

XS
SM
MD
LG