Lidhje

Shqipëri: Infrastruktura e sistemit të drejtësisë ka nevojë për përmirësime rrënjësore - 2005-01-26


Në Shqipëri ministria e Drejtësisë prezantoi të mërkurën studimin e plotë për infrastrukturën e gjyqësorit, i cili ka evidentuar nevojat për ndërhyrje në infrastrukturën fizike dhe atë të teknologjisë në një hark kohor prej 15 vjetësh. Studimi i financuar nga Bashkimi Evropian është realizuar nga dy kompani të huaja. Sipas tij deri në vitin 2015 do të nevojiten 26 milion euro në mënyrë që sistemi gjyqësor në Shqipëri te jetë i standarteve europiane

Sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk vuan vetëm nga mugesa e theksuar e besimit të opinionit ndaj drejtësisë që ai ofron por edhe nga kushtet në shumicën e rasteve të mjerueshme të vetë gjykatave, që nga godinat, sallat e gjyqeve apo mjediset për publikun për të mos folur për nivelin e teknologjisë që aplikohet. Situata është e tillë që kërkon 26 milion euro financime në mënyrë që ky sistem të jetë i parmetrave bashkëkohore. Ky është përfundimi i një studimi të realizuar nga dy kompani të huaja me anë të një financimi prej 650 mijë eurosh të ofruara nga Bashkimi europian.

Ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafaj tha të mërkurën se ky studim përfaqëson të parin dokument të plotë e serioz të vlerësimit të gjendjes së perspektivës së zhvillimit të infrastrukturës fizike të institucioneve të gjyqësorit shqiptar:

"Hartimi i këtij masterplani, pjesë e masave të planifikuara edhe në dokumentin e Partneritetit europian, tashmë një dokument në veprim, ka bërë të mundur evidentimin e plotë të nevojave që do të ketë për ndërhyrje në infrastrukturën fizike dhe atë të teknologjisë së informacionit të sistemit gjyqësor në një hark kohor 15 vjecar".

Sipas studimit ndërhyrjet do të kryhen në tre faza. E para në dy vitet e ardhshme do të kërkojë 8.5 milion euro që do të shërbejnë për rinovimin dhe zgjerimin e 10 gjykatave, deri në vitin 2010 duhet të kryhen punime për një vlerë prej 15.5 milion euro në 19 gjykata dhe deri në vitin 2015 duhet të rinovohen dhe 7 gjykata të tjera me një financim prej 2 milion eurosh.

Ambasadori Lutz Salcman, që drejton delegacionin e Komisionit europian në Shqipëri tha se studimi është një elemnt kyç i bashkëpunimit të Komisionit më Shqipërinë në sektorin e drejtësisë dhe do të përbëjë bazën e të gjithë investimeve në infrastrukturën gjyqësore për 15 vitet e ardhshme.

2.4 milion euro janë akorduar që këtë vit nga Komisioni europian për ndërtimin e gjykatës së Apelit në Korçë dhe në Vlorë:

"Komisioni i vetëm nuk mund dhe nuk duhet të pritet që të financojë të gjithë investimet e identifikuara. Është gjithashtu përgjegjësi e autoriteteve shqiptare, ekzekutivit, gjyqësorit, legjislativit, të reflektojnë në dhënien e fondeve buxhetore drejt ngritjes së kushteve fizike dhe materiale në gjykatat shqiptare", tha ambasadori Salcman.

Duke përfituar nga takimi i sotëm përfaqësuesi i Komisionit Evropian tha se ishte i shqetësuar për gjendjen në gjykatat e krimeve të rënda duke kërkuar ndërhyrjen sa më shpejt edhe për dhënien e kredive për banesa për gjykatësit që punojnë në to.

XS
SM
MD
LG