Lidhje

Pas votimeve, dilema për të ardhmen e Irakut - 2005-01-30


Ndërsa sot në Irak u zhvilluan zgjedhjet kombëtare, shumë vëzhgues pyesin se çfarë do të ndodhë më pas. A do të lënë politikanët irakianë dallimet e tyre mënjanë dhe të punojnë për një Irak të qëndrueshëm? Apo vendi do të shkojë drejt një dhune dhe gjakderdhjeje edhe më të madhe? Kolegia Serena Parker analizon këto pikëpyetje.

Zgjedhjet e sotme në Irak ishin zgjedhjet e para të lira dhe demokratike të këtij vendi në 50 vjet. Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Bush shprehën para zgjedhjeve zhgënjimin e tyre që myslimanët suni kishin thënë se nuk do të merrnin pjesë në votime dhe për gjendjen e rëndë të sigurisë, por theksojnë se vetë fakti që në Irak po zhvillohen zgjedhjet ka rëndësi të madhe.

John Alterman i Programit për Lindjen e Mesme në Institutin për Studime Strategjike Ndërkombëtare thotë se më e rëndësishme se zgjedhjet është se çfarë do të ndodhë pas tyre.

“Në fund të fundit, çështja thelbësore nuk është politika e zgjedhjeve, por politika prapa skenës. Nëse politikanët mund të arrijnë marrëveshje dhe nëse ata mund të sigurojnë mbështetjen e përkrahësve. Në të vërtetë, kjo është thelbësore. Jo kushe fiton në zgjedhje, por çfarë del prej tyre dhe nëse procesi do të çojë në bashkimin e vendit dhe drejt një të ardhmeje më të qendrueshme”.

E ashtuquajtura politikë prapa skene pritet të çojë në formimin e koalicioneve politike që do të shkojnë para me emrimin e presidentit dhe të dy zëvëndëspresidentëve, të cilët më pas do të zgjedhin kryeministrin. Kryeministri më pas do të zgjedhe krerët e 28 ministrive.

Sipas Michael Rubin, ish këshilltar Autoritetit të Përkohshëm tashmë të shpërndarë në Irak, ministria më e rëndësishme nuk do të jetë ajo e naftës por ajo e punëve të brendshme, që është përgjegjëse për sigurinë e vendit.

Zoti Rubin, i cili është kthyer nga Iraku para pak kohësh, beson se politikanët irakianë janë largpamës dhe të gatshëm për të bërë kompromiset e nevojshme për të çuar vendin përpara. Kjo atmosferë, thotë ai do të mbizotërojë edhe gjatë hartimit të kushtetutës së re.

Larmia etnike dhe fetare në Irak i ka shtyrë disa të spekulojnë se vendi mund të shkojë drejtë luftës civile. Analisti John Alterman thotë se Iraku mund të përfundojë si Libani, ku burimet dhe të ardhurat ndahen sipas përkatsisë fetare.

Analistë të tjerë, përfshirë Reuel Marc Gerecht, ish specialist i çështjeve të Lindjes së Mesme në CIA, thonë se Iraku do të arrijë të formojë një sistem qeverisës federal.

“Mendoj se ka më të ngjarë që në Irak, ndryshe nga Libani, të shohim një formë federalizmi. Deri në një farë mase tanimë ajo ekziston në Ligjin Kalimtar Administrativ dhe mendoj se ky ligj do të zgjërohet në kushtetutën e re.”

Përveç kësaj, kushtetuta do të duhet të përcaktojë edhe rolin e fesë në qeveri dhe sidomos rolin e femrës në shoqëri dhe ligjin familjar. Bathesba Crocker, bashkëdrejtoreshë e Projetktit të Zgjidhjeve pas Konflikteve në Qendrën për Studime Strategjike, thotë se këto gjëra duhet të zgjidhen nga vetë irakianët pa ndërhyrjen amerikane.

“Deri tani, ne nuk kemi qënë të gatshëm t’u japim irakianëve kontroll të plotë, por nëse përpiqemi të kontrollojmë procesin politik në Irak, ai nuk do të shihet si i përligjshëm nga irakianët apo në rajonin më të gjërë të botës arabe.”

Analistët thonë se zgjedhjet janë një hap i rëndësishëm drejtë një qeverie të ligjshme në Irak, një qeverir që do të fitojë respektin e qytetarëve irakianë dhe për të cilën forcat irakiane të sigurimit do të jenë të gatshme të luftojnë.

XS
SM
MD
LG