Lidhje

Amnensty International e shqetësuar për torturat në Shqipëri - 2005-02-01


Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International, shprehu shqetësimin për rastet e torturës dhe keqtrajtimit nga ana e policisë në Shqipëri. Kjo organizatë thotë në një raport që u bë publik sot se këto veprime të policisë, sidomos ndaj personave të sapo arrestuar shpesh nuk ndëshkohen, për shkak të mungesës së vullnetit të prokurorëve për të ngritur akuza.

Në raport citohen të dhëna zyrtare, sipas së cilave akuzat ngrihen vetëm në rastet më ekstreme. Shpesh këta persona akuzohen për veprën penale të akteve arbitrate, një shkelje jo aq e rëndë, që shpesh sjell si pasojë thjesht një gjobë.

Nga fillimi i vitit 2002 deri në fund të nëntorit 2004 Amnesty International ka mësuar për më shumë se 105 incidente ku thuhet se policia ka torturuar ose keqtrajtuar një ose më shumë persona, domethënë një mesatare prej 35 incidentesh në vit. Organizata për të Drejtat e Njeriut me Qendër në Londër, dyshon se kjo shifër mund të jetë shumë më e lartë dhe shumë nga këto shkelje thjesht nuk janë raportuar.

Shumë nga incidentet kanë ndodhur në orët e para pas arrestimit dhe viktimat janë ankuar se janë rrahur me grushta, shkelma dhe rrahje. Disa herë ata janë keqtrajtuar aq shumë saqë kanë nevojë për trajtim mjekësor dhe madje janë shtruar në spital. Hugh Poulton i selisë së organizatës në Londër shpreh shqetësimin për gjendjen. “Shpresojmë që ky raport t’u japë rekomandime autoriteteve shqiptare, ndërkohë që Komiteti i Kombeve të Bashkuara kundër torturës do të marrë në shqyrtim gjendjen në Shqipëri në Maj. Ideja është që t’u shprehim autoriteteve shqiptare shqetësimin tonë për keqtrajtimin fizik dhe torturën, gjë për të cilën ne kemi punuar perj disa vitesh. Shpresojmë që të ketë efekt dhe që si veprimet ashtu edhe legjislacioni të ndryshojë duke patur parasysh këto shqetësime”.

Siç thuhet në raport tortura nuk është përcaktuar qartë në Kodin Penal, ndërkohë që Konventa e OKB-së kundër torturës ka një përcaktim të hollësishëm të veprimeve që përbëjnë torturën. Zoti Poulton mendon se bëhet fjalë për mungesë ekspertize. “Shqipëria, si shumë vende të Ballkanit nuk ka lëvizur shumë gjatë 10 viteve të fundit nën rrethana shumë të ndryshme politike dhe të gjitha këto vende por i përpunojnë ligjet gradualisht”.

Zoti Poulton thotë se Ministria e Drejtësisë dhe qeveria në përgjithësi duhet të lëvizin drejt përmirësimit të kuadrit ligjor në këtë drejtim. “Ky është një problem i përbashkët i autoriteteve policore në vendet e Evropës Juglindore, vendeve ish-komuniste që po shkojnë drejt modernizimit. Por është e dukshme në Shqipëri, që në ato pak raste kur janë ngritur akuza ndaj policisë, shpesh me shtytjen e shoqatave të mbrojtjes së njeriut, rrallë janë marrë masa kundër policisë dhe shpesh ato kanë qenë për akte arbitrare që është një shkelje me dënim shumë më të lehtë” tha zoti Poulton.

Një nga shqetësimet më të mëdha është keqtrajtimi i të miturve dhe një nga synimet që do të arrijë Amnesty International është që këto keqtrajtime dhe tortura të marrin dënimin e merituar dhe të mos ushqejnë kulturën e mosndëshkimit. Në raport vihet në pah se kanë filluar përpjekjet për përmirësimin e gjendjes, sidomos duke bërë kurse kualifikime për forcat e policisë. Zoti Poulton thotë se Amnesty International shpreson të shohë ndryshime që brenda këtij viti.

XS
SM
MD
LG