Lidhje

Intervistë me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha - 2005-02-02


Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha i tha Zërit të Amerikës se ka marrë sigurime nga anëtarë të lartë të Kongresit amerikan se ata do të bëjnë të gjitha përpjekjet që zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri të jenë të lira dhe të ndershme. Zoti Berisha ishte ftuar në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Mëngjesin tradicional të Lutjeve që zhvillohet nesër në Uashington, por u largua para kohe për në Shqipëri për arësye personale. Gjatë qendrimit në Nju Jork dhe Uashington, ai pati takime me komunitetin shqiptaro-amerikan, foli në një diskutim të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë dhe u takua me anëtarë të Kongresit.

Zëri i Amerikës: Çfarë mesazhesh që jeni përpjekur të përcillni gjatë vizitës suaj në Shtetet e Bashkuara?

Sali Berisha: Nga shqiptaro-amerikanët, kam marrë plotësisht mbështetjen e tyre. Janë të vendosur që të bashkëpunojmë ngushtësisht për ta bërë Shqipërinë vendin e shpresave të shqiptarëve. Unë kam bindjen se Shqipëria pret ndryshime dhe ndryshimi do të ndodhë dhe do të bëhet një vend shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët. Pritja vllazërore ishte shumë e ngrohtë, kurse këtu në Kongresin e Shteteve të Bashkuara unë pata fatin që të takoj edhe Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kryetarin e Komisionit të Helsinkit, zotin Kristofer Smith dhe zotin Hastert. Zoti Smith para disa muajsh ka organizuar një seancë për zgjedhjet dhe situatën në Shqipëri. Ndahem shumë optimist sepse më siguroi se Kongresi amerikan qëndron plotësisht i vendosur për të bërë të gjitha përpjekjet që zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri të jenë të lira dhe të ndershme dhe se ka një shqetësim serioz lidhur me këtë proces sikundër edhe me krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Një zhvillim që po bie në sy në partinë tuaj është hapja e saj për përfaqësues të fushave të ndryshme, për intelektualë profesionistë. Problemi që mund të shtrohet është se sa do të jenë të aftë ata ta ruajnë lirinë e tyre intelektuale?

Sali Berisha: Ky është vetëm fillimi. Unë ju siguroj se ai përbën vetëm hapin e parë sepse hapja e Partisë Demokratike do të jetë një proces i pandërprerë dhe se ky forum, i cili zgjerohet sërish së shpejti është tërësisht i pavarur në mendimet e tij, po përgatit platformën e Partisë Demokratike, jo vetëm platformë elektorale por edhe të qeverisjes së ardhshme dhe se nuk mund të ketë asnjë rrugë tjetër përveç reformave. Këta janë njerëzit e reformave, këta janë njerëzit që kanë projektet e reformave dhe këta do të mbështeten fuqishëm për të proceduar me reformat.

Zëri i Amerikës: Çfarë natyre do të ketë kuvendi i ardhshëm i Partisë suaj ku do të zgjidhen strukturat e reja. A do të ruhet kjo frymë e hapjes? A do të bëjnë pjesë këta njerëz në strukturat drejtuese?

Sali Berisha: Një pjesë e tyre kanë shprehur që tani gatishmërinë e tyre dhe dëshirën për t’u inkluduar në strukturat politike dhe unë kam bindjen që do të inkludohen. Një pjesë tjetër kanë shprehur që tani vendimin e tyre për të qenë teknokratë në kuadrin e Partisë Demokratike dhe ky vendim do të respektohet, kështu që nuk ka dyshim se janë të mirëpritur në ripërtëritjen e strukturave të saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, partia juaj vazhdon të jetë në opozitë që prej 8 vjetëve. Ju ia hidhni vazhdimisht fajin manipulimit të zgjedhjeve por kritikët tuaj mendojnë se ju e keni mbajtur nën diktat të fortë partinë. Çfarë do të jetë e ndryshme kësaj here?

Sali Berisha: Është e vërtetë që ka 8 vjet në opozitë, por është e vërtetë që në tetë vjet asnjeri nga proceset zgjedhore s’është kualifikuar i lirë dhe i ndershëm, jo nga unë, por nga komuniteti ndërkombëtar. Ndërkohë nuk ka dyshim që ne po punojmë që Partia të kalojë në parimin “Një njeri-Një votë” dhe në këtë kontekst Instituti Demokratik Amerikan ka një projekt të cilit ne jemi të parët që iu bashkangjitëm dhe jemi dakord që të zbatojmë standartet më demokratike në gjirin e kësaj partie.

Zëri i Amerikës: Cila do të jetë strategjia juaj për të fituar vota në zgjedhjet e ardhëshme? A jeni i gatshëm të lëshoni pe për hir të bashkimit të së djathtës?

Sali Berisha: Natyrisht ne jemi të hapur për koalicion me të gjitha forcat politike, por kemi shprehur si linjë kryesore partneritetin me shoqërinë civile, me botën akademike, me mediat dhe biznesin e ndershëm. Mendojmë se kjo do të jetë linja kryesore politike e Partisë Demokratike në mënyrë që Partia Demokratike të vijë në pushtet e përgatitur për sfidat e mëdha që e presin Shqipërinë në procesin e integrimit në Nato dhe Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Partia juaj ka një program të bujshëm për luftën kundër korrupsionit. Si ndryshon ai nga programet që ka qeveria për një problem të tillë?

Sali Berisha: Ndryshimi është i madh në radhë të parë se platforma që ekziston sot është një platformë letër e vdekur, kurse unë siguroj se ajo që do të implementojmë ne nesër do të jetë një platformë që do të ketë një vullnet të fuqishëm politik për zbatimin e saj, do të vendoset mbi parimet e transparencës së plotë, të zbatimit të ligjit dhe të transparencës në të gjithë veprimtarinë e saj. Sikundër nuk do të lihet çështja e korrupsionit-një çështje e personave dytësorë ose jo aq të rëndësishëm por do të jetë ballë beteje, do të merret në dorë nga persona kryesorë dhe do të jetë ajo dëshmia e suksesit apo e dështimit të ardhshëm të qeverisjes sonë.

XS
SM
MD
LG