Lidhje

Irak: koalicioni shiit "Aleanca e bashkuar irakiane" ka fituar shumicën e votave - 2005-02-03


Komisioni zgjedhor i Irakut thotë se koalicioni kryesor shiit ka siguruar një numër të konsiderueshëm votash në zgjedhjet e së dielës.

Rezultatet e pjesëshme tregojnë se Aleanca e Bashkuar Irakiane, që mbështetet nga Ajatollah Ali al-Sistani, ka marrë 2 presje 2 milionë vota nga 3 presje 3 milionë te numëruara deri tani.

Zgjedhësit votuan për listat e kandidatëve dhe jo për individë të caktuar, dhe grupi i kryesuar nga Kryeministri i përkohëshëm, Ijad Allavi, është në vend të dytë me 17 për qind të votave.

Rezultatet e deritanishme janë marrë nga rajone kryesisht shiite dhe nuk pritet që numërimi i plotë të mbarohet edhe për një javë.

Ndërkaq, ushtria amerikane tha se një ushtar amerikan u vra dhe 7 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës në qytetin verior Baiji.

Zyrtarët njoftuan gjithashtu më parë se një ushtar amerikan u vra dje në Mosul, kur një autokolonë trupash u godit nga shpërthimi i një bombe.

Merret peng një gazetare italiane

Policia irakiane thotë se një gazetare italiane, e gazetës "Il Manifesto", është marrë peng në Irak. Persona të armatosur rrëmbyen sot Giuliana Sgrenën, kur po zhvillonte një intervistë pranë Universitetit të Bagdadit.

Gjatë 18 muajve të fundit në Irak janë rrëmbyer disa italianë. Dy punonjës ndihmash u rrëmbyen në Bagdad shtatorin e kaluar dhe u kërcënuan me vdekje para se të liroheshin disa javë më pas. Një gazetar tjetër italian u mor peng në gusht dhe u ekzekutua, pasi Roma nuk pranoi të plotësonte kërkesat e rrëmbyesve që Italia të tërhiqte rreth 3 mijë trupat nga Iraku.

XS
SM
MD
LG