Lidhje

Kosova, çështje tepër e mprehtë për sigurinë në rajonin e Ballkanit  - 2005-02-06


Zyrtarë nga vendet e Ballkanit që ndodheshin në Uashigton për mëngjesin vjetor të lutjeve thanë në një diskutim të organizuar nga Qendra e Studimeve Ndërkombëtare Woodrow Wilson se gjatë 15 vjetëve të fundit vendet e tyre kanë bërë përparime për sa i përket demokratizimit, zhvillimit dhe shoqërisë civile. Por ata theksuan se Kosova mbetet një çështje tepër e mprehtë për sigurinë në rajonin e Ballkanit dhe në veçanti për vendet e ish Jugosllavisë.

Lajko Semic, zëvendës-ministër i Tregtisë ndërkombëtare dhe Turizmit të Sërbisë tha se çështja e Kosovës është po aq lart në rendin e ditës të qeverisë së Sërbisë dhe Malit të Zi sa edhe të komunitetit ndërkombëtar. Zoti Semiç tha se dy janë përparësitë kryesore të qeverisë së tij këtë vit, bashkëpunimi me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi dhe Kosova. Ai përmendi takimet që pati me anëtarë të Kongresit amerikan, në të cilat u diskutuan të dyja këto çështje. Zoti Semiç tha se teritori i Kosovës dhe Metohisë nuk ka as institucione dhe as ligje të mirëfillta, dhe 75 përqind e popullatës është e papunë. Ai theksoi se ndihma e komunitetit ndërkombëtar për vendin e tij varet nga përparimi i bërë në bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës dhe në çështjen e Kosovës.

“Mendoj se ne duhet t’i organizojnë të dy palët, shqiptarët dhe jo-shqiptarët, që të arrijnë të organizojnë jetën për popullin e Kosovës dhe Metohisë, kjo është çështja më e rëndësishme për momentin aktual. Unë e kam të qartë se ne do të kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në qofte se kemi forcën e mjaftueshme për t’i zgjidhur këto probleme", tha zoti Semiç.

Vitomir Popovic, Avokat i Popullit për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Sërbëve të Bosnjes, tha se gjatë periudhës pas marrëveshjes së Daytonit, në vendet e rajonit janë arritur rezultate të mjaftueshme që ato të përcaktojnë vetë rrugën e tyre.

“Jam i bindur, mes të tjerash, se ka ardhur koha meqë shumica e shtojcave të marrëveshjes së Daytonit janë plotësuar, dhe veçanërisht shtojca 10 që bën fjalë për autoritetin e përfaqësuesit të lartë duhet të marrë fund, për t’i lejuar qytetarët të ndërtojnë shoqërinë që ata dëshirojnë, e cila do të ketë të gjitha karakteristikat e një shoqërie të përgjegjëshme demokratike”, tha zoti Popovic.

Megjithë shqetësimet legjitime të shprehuara nga zyrtarët sërbë për problemet e tyre ata dukshëm anashkaluan thelbin e çështjes së sigurisë në Ballkan që është çështja shqiptare me statusin përfundimtar të Kosovës në thelb të saj.

Ylber Hysa, anëtar i Lëvizjes Ora dhe anëtar i Këshillit kalimtar të Kosovës, i cili ndodhet në Institutin Amerikan të Paqes në kuadrin e programit të shkëmbimeve akademike, Fulbright tha se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovë, pa copëtimin në asnjë skaj të teritorit të saj, është kyçi i stabilitetit në Ballkan. Ai shprehu bindjen se Prishtina dhe Beogradi mund ta zgjidhin këtë çështje në kushte të favorshme për të dy palët me një Kosovë të pavarur, demokratike dhe shumëetnike, nëpërmjet një procesi nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara në partneritet me Bashkimin Evropian.

“Për mendimin tim angazhimi 15 vjeçar i perëndimit, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në Ballkan do të sfidohej lehtësisht, në qoftë se do të kishim copëtim të Kosovës. Ndoshta për këtë arsye jam i mendimit se një veprim i njëanëshëm i Shteteve të Bashkuara, si paralajmërimi i Krishtlindjeve, do të shërbenin për ta mbrojtur këtë investim dhe duke i detyruar të dy palët, sërbe dhe shqiptare që të tregoheshin të përmbajtura. Kjo do të shërbente për krijimin e kushteve për një zgjidhje politike të këtij problemi të rëndësishëm ballkanik ”, tha zoti Hysa.

Megjithë pikpamjet dhe dëshirat e faktorëve të interesuar në Ballkan, bota është në pritje të dëgjojë platformën dhe të shikojë veprimet e fuqive ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ndërkohë, nga shqiptarët e Kosovës dhe udhëheqja e tyre kërkohet asgjë më pak se sa plotësimi i standardeve të vëna nga komuniteti ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG