Lidhje

Presidenti Bush mbi ndryshimet në Lindjen e Mesme


Në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, Presidenti Bush theksoi atë që tashmë është bërë thelbi i mesazhit të tij: paqja është e mundshme vetëm nëpërmjet përhapjes dhe forcimit të lirisë: “E vetmja forcë mjaft e fuqishme për të ndaluar ngritjen tiranisë dhe të terrorit dhe për të zëvendësuar urrejtjen me shpresë, është forca e lirisë njerëzore.”

Amerika, tha Presidenti Bush, do të përkrahë lëvizjet demokratike në Lindjen e Mesme dhe në pjesë të tjera të botës me objektivin përfundimtar për t’i dhënë fund tiranisë në botë.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me aleatët në Lindjen e Mesme në luftën kundër terrorizmit, ndërkohë që inkurajojnë një standard më të lartë të lirisë. Ai u bëri thirrje Arabisë Saudite dhe Egjiptit t’u japin popujve të tyre zë më të madh dhe të lejojnë reformat demokratike.

Presidenti Bush pati fjalë të ashpra edhe për sunduesit e Sirisë dhe të Iranit. Ne duhet të ballafaqohemi me regjime që vazhdojnë të strehojnë terroristë dhe përpiqen të sigurojnë armë të shkatërrimit në masë: “Siria vazhdon të lejojë përdorimin e territorit të saj dhe të pjesëve të Libanit nga terroristë, të cilët kërkojnë të zhdukin çdo mundësi për arritjen e paqes në rajon. Kongresi amerikan, tha Presidenti Bush, ka miratuart Aktin Përgjegjshmëria Siriane dhe ne po e zbatojmë atë. Ne presim, theksoi ai, që qeveria siriane t’i japë fund mbështetjes për terrorin dhe t’i hapë derën lirisë.”

Presidenti Bush e cilësoi Iranin si përkrahësin kryesor shtetëror të terrorit në botë: “Regjimi iranian përpiqet të sigurojë armë bërthamore ndërkohë që i mohon popullit të tij lirinë që ai kërkon dhe meriton. Ne, theksoi presidenti, po punojmë me aleatë evropianë për t’ia bërë të qartë qeverisë iraniane se ajo duhet të heqë dorë nga programi për pasurimin e uraniumit, nga çdo përpunim i plutoniumit dhe nga mbështetja për terrorin. Kurse popullit iranian i them se Amerika qendron përkrah tij ashtu siç qendron ai përkrah kauzës së lirisë së tij.”

Presidenti Bush tha se zgjedhjet e kohëve të fundit në Irak, Afganistan, Ukrainë dhe territoret palestineze tregojnë se përhapja e lirisë ka marrë një vrull të fuqishëm. “Ne jemi dëshmitarë të zhvillimeve të rëndësishme në historinë e lirisë dhe gjatë viteve të ardhshëm, theksoi Presidenti Bush, ne do të shtojmë faqe të kësaj historie.” //az//

XS
SM
MD
LG