Lidhje

Irani thotë se do t’i vazhdojë të gjitha veprimtaritë e ligjshme në fushën e teknologjisë bërthamore


Irani është zotuar se do t’i vazhdojë të gjitha veprimtaritë e ligjshme në fushën e teknologjisë bërthamore, përfshi programin për pasurimin e uraniumit, i cili mundë të përdoret për prodhimin e armëve.

Duke folur dje në një konferencë të Kombeve të Bashkuara mbi Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, ministri i jashtëm iranian, Kamal Kharrazi, tha se Teherani do të vazhdojë veprimtaritë në fushën e teknologjive për qëllime paqësore dhe do të japë garanci se nuk po prodhon armë bërthamore.

Më pas, Departamenti amerikan i Shtetit tha se e vetmja mënyrë që Irani mund të sigurojë botën se nuk po prodhon armë të tilla është të heqë dorë nga programet për pasurimin dhe ripërpunimin e plutoniumit.

Plutoniumi dhe uraniumi i pasuruar mundë të përdoren si karburantë për reaktorët bërthamorë, por mundë të përdoren edhe në bomba bërthamore.

Dje në Teheran, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtëme tha se Irani do të rifillojë disa veprimtari bërthamore që ishin pezulluar si pjesë e një marrëveshjeje me negociatorët evropianë.

XS
SM
MD
LG