Lidhje

A mund të ndalet vrulli i Trumpit?


Prova e ardhshme në kalendarin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara është dita e martë, kur zhvillohen zgjedhje paraprake në 5 shtete, mes tyre Florida dhe Ohajo, që kanë një numër të madh delegatësh. E marta mund të jetë gjithashtu një mundësi e fundit për rivalët e zotit Donald Trump, kryesuesi i garës së republikanëve, për ta ngadalësuar marshimin e tij drejt emërimit të partisë.

Donald Trump, i cili sapo ka korrur fitore në Miçigan, Misisipi dhe Havaji, po përpiqet të komunikojë me institucionin e partisë, që vazhdon të jetë kundër tij.

“Unë mendoj se është koha që të bashkohemi. Në partinë Republikane po ndodh diçka e veçantë dhe fatkeqësisht disa elementë, që i quajnë elitë, janë njerëzit që nuk po e respektojnë ende këtë realitet,” deklaroi ai.

Trump mbetet objektivi i një fushate me reklama të financuar mirë, që shpreson ta ngadalësojë avancimin e tij drejt emërimit të partisë.

Guvernatori i Ohajos John Kasich mund t’i vijë në ndihmë kësaj përpjekjeje, duke fituar zgjedhjet paraprake në shtetin e tij të martën.

“Dua që të dini se unë do ta vazhdoj fushatën pozitive, pa hedhur baltë mbi të kandidatët e tjerë,” u shpreh zoti Kasich.

Një tjetër faktor që mund të ndikojë tek strategjia për të ndalur vrullin e Trumpit mund të jetë një fitore e mundshme e senatorit të Floridës Marco Rubio në shtetin e tij.

“Ne nuk do ta mundim dot Hillary Clintonin në se emërojmë një njeri, të cilin mbi 60 për qind e partisë nuk e pranon dhe një e treta e partisë sonë refuzon të votojë për të,” mendon zoti Rubio.

Por, një anketë e re tregon se zoti Trump kryeson ndjeshëm në Florida, ndërsa Kasich dhe Trump janë pranë me vota në Ohajo.

Ta ndalësh vrullin e Trumpit më 15 mars duket e vështirë, thotë analisti John Fortier:

“Në kushtet e tanishme, Donald Trump ka mundësi të fitojë në shumë shtete dhe tre kandidatët e tjerë do t’i ndajnë votat mes tyre; kjo është një recetë për të qenë i emëruari i Partisë Republikane.”

Fuqizimi i Trumpit vazhdon ta përçajë partinë, thotë analisti Henry Olsen:

“Partia Republikane ndodhet në prag të përçarjes. Trump në fakt thotë se pyetjet që i ka bërë vetes partia në 30 vitet e fundit, si çështja e zbatimit të filozofisë konservatore tek politikat me publikun, janë pa vend.”

"Strategjia anti-Trump përfshin edhe konventën e partisë në korrik. Por kjo mund të dështojë”, thotë analisti Allan Lichtman dhe shton se​ “Nëse republikanët duan ta pengojnë emërimin e njeriut që ka fituar votat, kjo mund të jetë katastrofë për ta. Në këtë rast ata do të shkonin në zgjedhjet e përgjithshme si një bandë oligarkësh, që mohojnë zërin e popullit.”

Ekspertët thonë se fitoret e mundshme të Donald Trumpit në Ohajo, dhe Florida, do të heqin çdo dyshim se ai do të jetë kandidati i emëruar nga partia republikane për zgjedhjet presidenciale.

XS
SM
MD
LG