Lidhje

Ekuadori i jep azil politik Julian Assanges


Sekretari i Jashtëm Hague: Britania nuk do të lejojë daljen e sigurt të Assanges, e vendosur ta ekstradojë atë në Suedi

Ekuadori deklaroi sot se ka vendosur t’i japë azil politik Julian Assage. Njoftimin e dha ministri i Jashtëm i Ekuadorit, Ricardo Patino në një konferencë shtypi.

“Qeveria e Ekuadorit, duke i qëndruar besnike traditës së saj për të mbrojtur ata që kërkojnë strehim tek ne nëpër misionet diplomatike, ka vendosur që t’i japë azil diplomatik zotit Assange”.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se Britania nuk do të lejojë daljen e sigurt të Assange nga vendi dhe është e vendosur që ta ekstradojë atë në Suedi.

Ndërkohë, një zëdhënës i kësaj ministrie, duke komentuar për vendimin e qeverisë së Ekuadorit e cilësoi atë si “zhgënjyes”.

“Sipas ligjeve tona, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e apelimit të çështjes së zotit Assange, autoritetet britanike janë të detyruara ta ekstradojnë atë në Suedi. Ne do t’i përmbahemi këtij detyrimi. Vendimi i qeverisë së Ekuadorit nuk e ndryshon këtë”.

Pas vendimit, Suedia thirri në takim ambasadorin e Ekuadorit në Stokholm. Një zëdhënës i qeverisë suedeze tha se është “e papranueshme” që Ekuadori po përpiqet të frenojë procesin gjyqësor të Suedisë.


Suedia kërkon ekstradimin e zotit Assange, për ta marrë në pyetje në lidhje me dyshimet për dhunë seksuale. Ai i ka hedhur poshtë këto akuza.

Mbrëmjen e së mërkurës në Ekuador, dhjetra demonstrues bënin thirrje pranë ambasadës britanike, në Kuito, kundër bllokimit të zotit Assange.

Julian Assange ka frikë se Suedia mund ta çojë atë në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akzuat që kanë lidhje me daljen në vitin 2010 të qindra mijëra dokumenteve sekrete, ku përfshihen edhe kabllot diplomatike të Departamentit të Shtetit rreth luftrave në Irak dhe Afganistan.
XS
SM
MD
LG