Lidhje

Acarohen tensionet në takimin e Bashkimit Evropian


Acarohen tensionet në takimin e Bashkimit Evropian
Acarohen tensionet në takimin e Bashkimit Evropian

Presidenti francez Nikola Sarkozi dhe kryeministri britanik David Kameron u kapën në një mosmarrëveshje të ndezur gjatë takimeve urgjente lidhur me euron në Bruksel.

Kjo përplasje shënohet në një kohë kur britanikët po diskutojnë një mocion që kërkon hedhjen në referendum të antarësisë së vendit në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, tensione të tjera po e shoqërojnë krizën e euros.

Pavarësisht nga pamjet e publikuara që simbolizonin unitet në takimin e së dielës, tensionet zienin nën sipërfaqe.

Titujt e lajmeve në gazetat franceze përqendroheshin tek mospajtimet mes presidentit Sarkozi dhe Kancelares gjermane Angela Merkel. Dje, Ministri francez i Financave Fransua Baruë këmbënguli se bisedimet po përparojnë:

“Mendoj se po të thonim është bërë 2/3 përparim që nga e premtja, do të ishte një vlerësim i drejtë. Kemi pasur marrëveshje mbi lëvrimin e këstit të fundit nga plani i mëparshëm i ndihmave për Greqinë dhe kemi rënë dakord mbi nivelet e likuiditeteve të bankave, për të përballuar tronditje të ngjashme në të ardhmen”.

Bankat evropiane do të detyrohen gjithashtu të sigurojnë kapital të ri në masën 100 miliardë euro për të garantuar mbrojtje nga humbjet. Kreditorëve do t’u kërkohet t’i falin Greqisë shumë më tepër se 21 për qind të borxhit që ishte në plan në korrik.

Sfida më e madhe është fuqizimi i ndikimit të paketës evropiane të ndihmës.

Analistët thonë se fondi aktual prej 440 miliardë eurosh është shumë i vogël për të shpëtuar Spanjën, apo Italinë nëse ndeshen me probleme.

Presidenti francez Nikola Sarkozi paraqiti propozimin e tij për një mënyrë të re për gjenerimin e të ardhurave:

“Ua kemi përsëritur të gjithë partnerëve tanë evropianë idenë e miratimit të një takse për transaksionet financiare. Është ideja që të gjithë të punojmë së bashku dhe t’i përmbahemi këtij propozimi”.- tha presidenti francez

Britania, e cila nuk bën pjesë në eurozonë, e kundërshton një taksë të tillë, pasi ekonomia e saj varet ndjeshëm tek transaksionet financiare. Kryeministri Kameron tha se pjesëtarët e eurozonës nuk duhet t’i diktojnë politika të gjithë Bashkimit:

“Ndryshime të traktateve mund të bëhen vetëm nëse të 27 vendet anëtare bien dakord, dhe çdo ndryshim duhet të ofrojë një mundësi për të avancuar interesat tona kombëtare”.- tha kryeministri britanik

Tensionet mes Britanisë dhe Francës po acarohen. Sipas burimeve, Sarkozi i ka thënë kryeministrit britanik se është ngopur nga kritikat dhe diktati i tij.

Zoti Kameron, ndërkaq po vazhdon betejën si brenda dhe jashtë vendit. Anëtarë të parlamentit, nga vetë partia e kryeministrit, po përpiqen të marrin miratim për një referendum kombëtar për anëtarësinë e Britanisë në BE.

Kryeministri thotë se tani që Evropa është në trazira, nuk është e përshtatshme që Britania të shkaktojë probleme të tjera.

Udhëheqësit e BE do të takohen përsëri nesër për të finalizuar paketën e ndihmave. Shumë shpresojnë se ky takim do të shënojë fillimin e fundit të krizës evropiane të borxheve.

XS
SM
MD
LG