Lidhje

Shetet e e Bashkuara, Pakistani dhe Afganistani


Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e dhurimit të disa prej 1 mijë e 200 prej automjeteve të veta rezistente ndaj minave, si dhe antiplumb, të njohura si MRAP aktualisht në Afghanistan, Pakistanit fqinj, pas shqyrtimit të kostos së lartë të transportimit të tyre jashtë vendit. Megjithatë, propozimi ka ndeshur në kundërshtime të fuqishme nga autoritetet në Kabul, të cilët thonë se të gjitha pajisjet duhet të qëndrojnë në vendin e tyre.

Ushtria amerikane po shqyrton mundësinë e dhurimit të pajisje ushtarake me vlerën e miliarda dollarëve aleatëve të vet, përfshirë Pakistanin, në vend që t'i shkatërrojë ato, apo t'i transportojë në bazat amerikane, kur misioni nën drejtimin e NATO-s në Afganistan të marrë fund në dhjetor.

Mes këtyre pajisjeve ka automjete të blinduara, apo siç njihen, MRAP, për të cilat komandantët ushtarakë amerikanë mendojnë se do të kenë vlerë strategjike të kufizuar, pasi kanë shërbyer në misionin në Afganistan për më tepër se një dekadë.

Komandanti amerikan i forcave ndërkombëtare në Afganistan, Gjenerali Josef Dunford, bëri të njoura hollësitë e planeve të propozuara javën e kaluar, gjatë një dëshmie para Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Shteteve të Bashkuara.

“Shkatërrimi i mjeteve MRAP kushton më pak se 10 mijë dollarë, ndërsa lëvizja e tyre kushton 50-100 mijë dollarë. Në se do të donim t'ja jepnim ato një vendi tjetër, ky vend do të duhej t'i pranonte ato në gjendjen që janë. Me fjalë të tjera, ato do të duhej të paguanin për të gjithë koston që automjeti të jetë përsëri në gjendje pune, si dhe për të paguar shpenzimet e transportimit në vendin e tyre. Ne jemi duke parë alternativat e mundshme për t'ia dhënë këto automjete partnerëve tanë, si Afghanistani, Pakistani dhe partnerë të tjerë, të cilët po marrin pjesë në operacionet e përbashkëta."

Zyrtarë pakistanezë të mbrojtjes nuk pranuan të diskutonin për hollësitë e bisedimeve me zyrtarë amerikanë lidhur me këtë çështje, por thonë se do të donin t'i merrnin mjetet MRAP për t'i mbrojtur më mirë trupat që luftojnë me kryengritësit talebanë brenda vendit.

Por, planet e propozuara nga SHBA i kanë zemëruar udhëheqësit dhe ligjvënësit në Afganistan. Ata e kanë akuzuar Washingtonin se ka shkelur marrëveshjen e partneritetit strategjik me Kabulin, duke i ofruar pajisje ushtarake Islamabadit, pa u konsultuar më parë me qeverinë afgane.

Zëdhënësi i Presidentit, Aimal Faizi, thotë se vendi i tij do ta kundërshtojë me forcë çdo lëvizje për dërgimin e automjeteve ushtarake në Pakistan. Ai thotë se Kabuli priste që forcat e koalicionit t'ua linin këtë forcave afgane të sigurisë.

Media në Afganistan dhe disa ligjvënës kanë vazhduar me kërkesën që Shtetet e Bashkuara t'i ndërpresin pa humbur kohë bisedime të tilla me Pakistanin, duke e akuzuar Islamabadin për mbëshetjen e terrorizimit në vendin e tyre.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Tasnim Aslam, thotë se kritikat e afganëve janë pa vend, për shkak të sakrificave të mëdha që ka bërë Pakistani në luftën kundër terrorizmit.

“Mbi 40 mijë pakistanezë, përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë, kanë bërë sakrifica madhore në luftën kundër terrorizmit. Çdo përpjekje për ta paraqitur Pakistanin ndryshe nga një viktimë e terrorizmit është në të vërtetë një tjetërsim dhe ne e hedhim plotësisht poshtë këtë. Është me të vërtetë shqetësuese që këto deklarata të dëmshme bëhen në një kohë kur po ndërmerren përpjekje të sinqerta për të kthyer një faqe të re në marrëdhëniet dy-palëshe me Afganistanin."

Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Senatit afgan, Arifullah Pashtun, thotë se planet e propozuara amerikane e kanë mërzitur popullin afgan dhe ai ja ka transmetuar këto shqetësime komandantëve të forcave ndërkombëtare. Ai i tha Zërit të Amerikës se zyrtarët ushtarakë e siguruan se ndërsa po mbahen diskutime, nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar për t'i dhënë pajisje ushtarake Pakistanit.

Senatori afgan thotë se vendi i tij i do pajisjet dhe duhet të ketë të drejtën që t'i refuzojë i pari, para se Forca e Ndihmës Ndëkrombëtare për Sigurinë t'ia ofrojë atë një vendi tjetër.
XS
SM
MD
LG