Lidhje

SHBA nuk ka ende strategji të re për Afganistanin


Kanë kaluar tre muaj që kur komandanti i forcave amerikane dhe ndërkombëtare në Afganistan tha se i nevojiten disa mijëra forca të tjera ushtarake për të thyer ngërçin e krijuar në vend. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, zyrtarët thonë se plani i administratës Trump për Afganistanin ndoshta do të mundësojë dërgimin e këtyre njësive shtesë.

Me ardhjen e motit të ngrohtë, në Afganistan po nxehet edhe sezoni i luftimeve. Por, administrata Trump nuk ka njoftuar ende planet e saj për vendin e dërrmuar nga lufta.

“Nuk është marrë ende vendim, prandaj të mos i paragjykojmë politikat e ardhshme”, tha Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Por, zyrtarë ushtarakë i thonë Zërit të Amerikës se plani i ri mund të parashikojë dërgimin e disa mijëra forcave shtesë në Afganistan.

Udhëheqësit kanë provuar më parë të rrisin praninë ushtarake për të luftuar talebanët, por ekspertët thonë se kjo taktikë do t’i shërbente një tjetër lloj strategjie.

“Tashmë po ndihmojmë drejtpërdrejt ushtrinë afgane duke e bërë atë më të fuqishme. Pra, është një aksion që dallon nga e kaluara”, thotë Gjeneral Lietnant në pension Thomas Spoehr, i Qendrës së Fondacionit “Heritage” për Mbrojtjen Kombëtare.

Zyrtarët thonë se plani i ri i politikave do të fokusohet më pak në numrin e forcave ndërkombëtare që nevojiten dhe më shumë tek aftësitë që duhen duke ofruar më shumë mbështetje për forcat ajrore afgane dhe forcat speciale.

Të tjerë thonë se një rritje e mundshme e pranisë ndërkombëtare nuk do të mjaftojë për të patur një efekt të menjëhershëm në fushëbetejë.

“Komuniteti i zbulimit vlerëson se situata politike dhe e sigurisë në Afganistan do të përkeqësohet gjatë vitit 2018, megjithë një rritje modeste të asistencës ushtarake të SHBA-së dhe vendeve partnere”, thotë Daniel Coats, Drejtori i Zbulimit Kombëtar amerikan.

Talebanët kontrollojnë tashmë territorin më të madh në Afganistan që nga viti 2001. Ndoshta më shumë presion ushtarak do t’i detyrojë talebanët të ulen në tryezë bisedimesh me qeverinë.

Zyrtarët i thonë Zërit të Amerikës se forcat afgane synojnë progres në rritje gjatë viteve të ardhshme, dhe jo një mundje të menjëhershme të armikut.

Ndërsa kritikët në Uashington fokusohen tek ngërçi në luftën e forcave afgane kundër talebanëve, gjeneralët thonë se misioni kundër terrorizmit vazhdon të ketë sukses.

“Objektivi ynë parësor, të cilin e kemi përmbushur që në ditën e parë gati 15 vjet e gjysëm të shkuara, është shmangia e një tjetër sulmi të ardhur nga ajo zonë. Kjo është sigurisht një arritje për të cilën do të vazhdojmë të punojmë”, thotë Gjenerali Raymond Thomas, komandat i Komandës së Forcave Speciale amerikane.

Rëndësia e misionit kundër terrorizmit është rritur që kur luftëtarët e Shtetit Islamik hynë edhe në këtë vend. Ky prioritet i ri, së bashku me mbështetjen e luftës afatgjatë të afganëve kundër talebanëve, i shtyn ekspertët të mendojnë se në dallim nga administrata Obama, politika e Presidentit Trump nuk do të tentojë për një largim të afërt amerikan nga Afganistani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG