Lidhje

Zgjedhjet presidenciale afgane drejt balotazhit


Me sa duket, asnjë kandidat nuk ka marrë shumicën në zgjedhjet presidenciale të 5 prillit në Afganistan. Kjo bën të nevojshme zhvillimin e balotazhit mes kandidatëve Abdullah Abdullah dhe Ashraf Ghani. Balotazhi duhet të zhvillohet brenda 15 ditësh nga nxjerrja e rezultateve përfundimtare që pritet të dalin më 14 maj.

Komisioni i Pavarur Afgan i Zgjedhjeve thotë se ish-ministri i jashtëm Abdullah Abdullah siguroi afro 45% të votave dhe Ashraf Ghani, ish-ministrër i financave mori 32%.

Kreu i komisionit, Ahmad Yousuf Nouristani, thotë se zyrtarët e zgjedhjeve kanë numëruar afro 7 milionë vota. Ai thotë se sapo të hetohen akuzat për manipulim votash dhe rezultatet t’i sillen komisionit, ato do të finalizohen më 14 maj. Zoti Nouristani këmbëngul se komisioni do të ketë kohë të mjaftueshme për të kryer gjithë procesin që lidhet me zgjedhjet:

"Mendoj se zgjedhjet shkuan mjaft mirë. Jemi të kënaqur me procesin dhe mendoj se jemi të përgatitur për raundin e dytë. E konsiderojmë të përballueshëm dhe kemi përgatitur edhe një program kohor për procesin e raundit të dytë”.

Fituesi i zgjedhjeve do të zëvendësojë Presidentin Hamid Karzai, i cili ka udhëhequr Afganistanin që nga fundi i vitit 2001. Kufizimet kushtetuese nuk e lejojnë zotin Karzai të konkurrojë përsëri.

Marrëdhëniet mes Presidentit Karzai dhe administratës Obama kanë qenë të tendosura si rezultat i kundërshtimit të zotit Karzai për të nënshkruar një marrëveshje dypalëshe sigurie që do të lejonte një forcë të vogël ushtarake amerikane të qëndronte në Afganistan pas vitit 2014 për të vazhduar stërvitjen e trupave afgane që po luftojnë me Talibanin.

Si zoti Abdullah ashtu edhe zoti Ghani kanë premtuar një fillim të ri me Shtetet e Bashkuara dhe janë betuar të nënshkruajnë marrëveshjen e sigurisë.

I dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin, James Dobbins foli me nota optimiste për të ardhmen e marrëveshjes pas tranzicionit politik në Kabul:

"Jemi të zhgënjyer që nuk u nënshkrua më parë. Në fushatën e fundit zgjedhore të gjithë kandidatët e mbështetën marrëveshjen dhe të gjithë kandidatët kryesorë e kanë bërë të qartë se kanë në plan ta nënshkruajnë pak pasi të vijnë në detyrë, prandaj kam besim se do të përfundohet”.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan mirëpriti rezultatet paraprake, duke e cilësuar procesin zgjedhor si “më transparent se kurrë më parë”. Zyrtarët e OKB-së i kanë bërë thirrje komisionit zgjedhor dhe Komisionit të Pavarur të Ankesave Zgjedhore “të garantojnë se ankesat e besueshme po trajtohen në mënyrën e duhur dhe se integriteti i procesit zgjedhor nuk do të cënohet”.
XS
SM
MD
LG