Lidhje

Afganët votojnë pa përfillur kërcënimet


Qendrat e votimit në Afganistan u mbyllën dje pasi zyrtarët e zgjedhjeve deklaruan një pjesëmarrje të suksesshme në votimet presidenciale. Duke shprehur opinionin e tyre, shumë votues sfiduan kërcënimet e Talibanit.

Skenaret shqetësuese të cilave u trembeshin shumë vetë nuk u bënë realitet. Megjithë disa sulme, Talibani nuk arriti të minonte zgjedhjet dhe miliona afganë morën pjesë në procesin për zgjedhjen e presidentit të ri.
Pasi kishin hedhur votën në një ditë të zymtë në Kabul, votuesit afganë – burra e gra, të rinj e të moshuar tregonin gishtin e njollosur me bojë mavi si provë e ushtrimit të së drejtës së votës.

Kreu i Komisionit të Pavarur Zgjedhor Afgan, Ahmad Yusuf Nuristani, dukej i kënaqur me procesin.

Ai thotë se ndoshta mbi shtatë milionë vetë kanë votuar. Megjithatë, ai shtoi se kjo është një përllogaritje paraprake dhe se shifra korrekte nuk do dihet deri kur të numërohen votat.

Nuk priten konfirmime mbi rezultatin para datës 24 prill. Në atë datë do të dalin rezultatet paraprake, ndërsa shifrat përfundimtare nuk priten deri në mes të majit.
Kombet e Bashkuara thonë se ndër votuesit e rinj ishin 1.3 milionë gra.

Sohila Sahar erdhi në qendrën e votimit e mbuluar me një shami ngjyrë vjollcë dhe mbante për dore vajzën e vogël. Ajo shprehu krenari për vendin e saj:

“Jam shumë e lumtur kur hedh sytë rrotull dhe shoh gjithë këto njerëz që kanë dalë për të votuar për udhëheqësin e ardhshëm përmes votës. Jam shumë e lumtur. Mesazhi im për të gjitha gratë në të gjithë fshatrat është të dalin të votojnë dhe të zgjedhin udhëheqësit e tyre. Kjo është e drejta që u ka dhënë Zoti”.

Kur rreth 6200 qendrat afgane të votimit u mbyllën mbrëmë, në Kabul ndjehej qartë një ndjenjë çlirimi dhe trupat e sigurisë filluan të tërhiqen.

Plani i Talibanit për të minuar votimet u shoqërua me një numër sulmesh të përgjakshme në ditët para zgjedhjeve. Ndër viktimat e këtyre sulmeve kishte zyrtarë të zgjedhjeve, policë, kandidatë, gazetarë dhe civilë të tjerë.

Ministri i Brendshëm Omar Daudzai tha se votimet shkuan mirë, por u shoqëruan me një kosto: të paktën 16 pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë në përleshje në orët para votimit dhe numri i të vdekurve ndër ekstremistët ishte edhe më i lartë.

"Gjatë 24 orëve të fundit,” tha ministri, “ka pasur gjithësej 140 sulme, ose plane për sulme. Eshtë e vështirë të jepen hollësi, por ajo që është e rëndësishme është se për çdo pjesëtar të forcave të sigurisë që gjeti vdekjen, katër herë më shumë ekstremistë u vranë”.

Zoti Daudzai tha se nëntë policë, shtatë ushtarë dhe katër civilë u vranë në sulme ekstremiste dhe 43 u plagosën. Ai njoftoi se 89 ekstremistë u vranë.

Talibani ka marrë përgjegjësinë për 246 sulme gjatë votimeve.
Votuesit kishin një listë me tetë kandidatë presidencialë në fletë-votim. Tre prej tyre konsiderohen si rivalët më të fortë: Ashraf Ghani, ish-zyrtar i Bankës Botërore; Zalmai Rassoul, ish-ministër dhe Abdullah Abdullah, po ashtu ish-ministër. Presidenti Hamid Karzai nuk kishte të drejtë të konkurronte përsëri.

Idrisi, një votues 21-vjeçar tha se zgjedhjet janë të rëndësishme për afganët:

"Ka 10 vjet që ndeshemi me probleme të vështira në Afganistan, në të gjitha anët, që nga Kabuli e në qytete të tjera. Por të gjithë po përpiqen të votojnë për një president që do të ishte për të mirën e Afganistanit dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten e tyre”.

Vëzhguesit e caktuar nga kandidatët, zyrtarët qeveritarë të zgjedhjeve dhe vëzhguesit e pavarur ndoqën procesin brenda qendrave të votimit për të mos lejuar probleme, si manipulimet e shumta që shoqëruan zgjedhjet e vitit 2009.
XS
SM
MD
LG