Lidhje

Talebanët kontrollojnë Kabulin - Shtetet e Bashkuara përshpejtojnë evakuimin


Ushtria amerikane po përpiqej të hënën të menaxhojë një evakuim kaotik nga Afganistani, ndërsa talebanët patrullojnë kryeqytetin duke u përpjekur ta paraqesin situatën të qetë pasi rrëzuan qeverinë e mbështetur nga perëndimi.

Talebanët morën Kabulin të dielën pasi presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi, duke i dhënë një fund tronditës një fushate dy dekadëshe në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ishin përpjekur të transformonin Afganistanin. Forcat e sigurisë të stërvitura nga perëndimi u rrëzuan brenda pak ditësh, madje edhe para tërheqjes së trupave të fundit amerikane.

Mijëra afganë të frikësuar nga rikthimi i sundimit taleban po përpiqen të largohen nga vendi përmes aeroportit ndërkombëtar të Kabulit. Videot në rrjetet sociale shfaqen qindra njerëz teksa vraponin, ndërsa ushtarët amerikanë shkrepën të shtëna paralajmëruese në ajër. Një tjetër video tregoi një turmë që shtyhet për të hapur rrugën drejt një shkalle duke u përpjekur të hipte në një aeroplan dhe me disa njerëz të varur ne kangjella.

Massouma Tajik, një analiste 22-vjeçare, përshkroi skena paniku në aeroport, ku ajo ishte në mesin e qindra afganëve që shpresonin të hipnin në një avion për t’u evakuuar.

Pasi priti gjashtë orë, ajo dëgjoi të shtëna nga jashtë, ku një turmë burrash dhe grash po përpiqeshin të ngjiteshin në bordin e një avioni. Ajo tha se trupat amerikane gaz dhe qëlluan në ajër për t'i shpërndarë ata. Të shtënat me armë mund të dëgjoheshin në regjistrimin që ajo i dërgoi agjencisë së lajmeve Associated Press.

Ambasada amerikane është evakuuar dhe flamuri amerikan është ulur, ndërsa diplomatët janë zhvendosur në aeroport për të ndihmuar evakuimin. Vendet e tjera perëndimore gjithashtu kanë mbyllur misionet e tyre dhe po largojnë personelin dhe civilët.

Në mëngjes, Autoriteti i Aviacionit Civil të Afganistanit kumtoi se "pjesa civile" e aeroportit ishte "e mbyllur deri në një njoftim tjetër" dhe se ushtria kontrollonte hapësirën ajrore.

Në kryeqytet u krijua një qetësi e tensionuar, me shumicën e njerëzve të mbyllur në shtëpitë e tyre. Pati njoftime për grabitje dhe njerëz të armatosur që trokisnin në dyer. Talebanët liruan mijëra të burgosur ndërsa morën nën kontroll vendin dhe policia u shpërnda.

Talebanët vendosën luftëtarë në udhëkryqet kryesore dhe u vunë në përpjekje për të paraqitur situatën të qetë duke shpërndarë video që shfaqin rrugë të qeta të qytetit.

Suhail Shaheen, një zëdhënës i talebanëve, shkroi në twitter se luftëtarët ishin udhëzuar të mos hynin në asnjë shtëpi pa leje dhe të mbronin "jetën, pronën dhe nderin". Talebanët kanë thënë gjithashtu se do të qëndrojnë jashtë lagjes diplomatike ku ndodhet kompleksi i ambasadës amerikane "në mënyrë që të mos krijojnë ndonjë paqartësi ose probleme". Lagjja gjithashtu përfshin vila luksoze të ish-komandantëve të luftës, që kanë ikur nga vendi ose janë fshehur.

Talebanët sunduan Afganistanin nga viti 1996 deri në vitin 2001 me një formë të ashpër të ligjit islamik. Gratë ishin kryesisht të mbyllura në shtëpitë e tyre dhe kriminelët e dyshuar u përballën me prerje gjymtyrësh ose ekzekutim publik. Talebanët janë përpjekur të paraqiten si më të moderuar, por shumë afganë nuk besojnë dhe kanë frikë për të drejtat e tyre.

Talebanët kishin strehuar gjithashtu Osama bin Ladenin dhe al-Qaidan në vitet para se të kryenin sulmet e 11 shtatorit 2001. Kjo çoi në një pushtim të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që shpërndau me shpejtësi al-Qaidan dhe i përzuri talebanët nga pushteti.

Por, Shtetet e Bashkuara humbën përqendrimin gjatë luftës në Irak dhe talebanët përfundimisht u rigrupuan. Militantët morën pjesën më të madhe të fshatrave afgane në vitet e fundit dhe më pas hynë në qytete ndërsa forcat amerikane përgatiteshin të tërhiqeshin para afatit të 31 gushtit.

Kur talebanët pushtuan për herë të fundit Kabulin në vitin 1996, ai ishte dëmtuar rëndë në luftën civile që shpërtheu midis udhëheqësve të luftës pas tërheqjes sovjetike shtatë vjet më herët. Qyteti ishte atëherë shtëpi e rreth një milion njerëzve dhe shumica udhëtonin në rrugë të pluhurosura me biçikleta ose taksi të vjetruara.

Sot Kabuli është një qytet i ndërtuar, strehë e 5 milionë njerëzve ku automjetet luksoze shihen gjithandej në trafikun e rënduar. Shumë nga luftëtarët më të rinj talebanë vijnë nga zonat rurale pa energji elektrike ose ujë të rrjedhshëm dhe po shohin për herë të parë një qytet modern për të cilin kishin dëgjuar vetëm rrëfime.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG