Studiues të çështjeve europiane dhe të integrimit pohojnë se pohojnë se dalja e Britanisë nga BE do t'i shtyjë planet për zgjerim të Unionit përtej vitit 2020.
Sipas tyre, vëmendja e deritanishme e BE-së për zgjerimin do të shndërrohet në një vëmendje për daljen e Britanisë.
Por nga ana tjetër, analistët pohojnë që tërheqja e projektit europian për vendet e Ballkanit është ende shumë e madhe dhe kjo doli në pah gjatë procesit të Berlinit.
Drejtuesi i Lëvizjes Europiane të Shqipërisë, Gledis Gjipali thotë se Britania ishte një mbështetëse e madhe e zgjerimit të BE-së me vende të Europës juglindore dhe me Turqisë, ndaj largimi i saj nga BE do të ndikojë drejtpërdrejt në palnet e zgjerimit.
“Negociatat e daljes ndodhin për herë të parë. Nuk ka një përvojë as në BE se si bëhen negociatat për daljen e një vendi nga BE. Do të ketë një periudhë minimale prej së paku dy vitesh. Kompleksiteti i negociatave do të tërheqë gjithë energjitë kryesore të Komisionit Eurpian dhe të vendeve anëtare. Ato do të kenë më pak vëmendje për zgjerimin, më pak vëmendje për Shqipërinë dhe problemet e Ballkanit perëndimor” - tha zoti Gjipali.
Ndërsa studiuesi Afrim Krasniqi, drejtues i Qendrës për Studime Politike, thotë se planet për zgjerim do të shtyhen edhe së paku 5 vjet të tjera, sepse tani BE do të punojë për të shmangur efektin domino të referendumeve në seri.
“Duke qenë një shtet me rëndësi në BE, largimi i tij e zhvendos praktikisht të gjithë axhendën. BE sot më shumë se sa të merret me antarët e rinj do të merret me efektin domino; parandalimin e refernudmeve në Francë, në Holandë, në Hungari dhe në vende të tjera. Për shkak të krizës së refugjatëve, krizës ekonomike dhe daljes britanike, i gjithë procesi i antarësimeve të vendeve të reja po kalon më tej pa një axhendë fikse dhe shtyhet për të paktën 5 vitet e ardhshme” - tha zoti Krasniqi.
Por sa do të ndikojë kjo ngjarje me Britaninë e Madhe në ecurinë e integrimit të vendeve kandidate?
“Shumë dyer të BE, që deri sot ishin të hapura për Shqipërinë, përfshirë edhe dyert britanike, tashmë do të jenë të mbyllura, ose minimalisht ajo do të mbetet në sallën e pritjes, për shkak se BE ka axhendë tjetër dhe përparësi të tjera. Ky është një lajm i keq për të gjitha grupet e interesit, për mediat, për shoqërinë civile, për të gjitha kategoritë që kanë parë te BE zgjidhjen e shpejtë të halleve të Shqipërisë.”. - thotë zoti Krasniqi.
Nga ana tjetër, zoti Gjipali thotë se arsyet e daljes së Britanisë nga BE janë krejt të kundërta me ato të vendeve kandidate pë të hyrë.
“Arsyet e daljes së Britanisë së Madhe kanë të bëjnë me rrezikun që i vjen nga krahu i lirë i punës, nga emigracioni i banorëve prej antarëve të rinj të BE-së. Gjithashtu, është edhe kontributi i madh financiar, që Britania jepte në BE. Arsyet pse vendet e Ballkanit perëndimor synojnë të antarësohet në BE kanë të bëjnë me forcimin e gjendjes ekonomike, sociale dhe demokratike, kanë të bëjnë me zbatimin e legjislacionit dhe shtetit ligjor, procese që janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin, por Britania i ka tejkaluar shekuj më parë” - tha zoti Gjipali.
Studiuesi Afrim Krasniqi thotë se dalja e Britanisë do të ristrukturojë planet e të gjitha vendeve antare dhe atyre kandidate.
Për këto të fundit, thotë ai, kriteret mund të forcohen, dhe pritshmëria do të bëhet më realiste.
“Për Shqipërinë do të rriten kërkesat dhe numri i standarteve që duhet të plotësojë për të bindur skeptikët. Ky është një lajm i keq për Shqipërinë, sepse nuk kemi kapacitete për ta bërë. Kur liderët politikë do ta kuptojnë se integrimi nuk është më një ofertë e shpejtë afatshkurtër, ata nuk do ta kenë më prioritet integrimin. Për një vend si Shqipëria, ku liderët politkë, pa Europën në mbikëqyrje, punojnë për të rritur pushtetin personal dhe abuzimin me demokracinë etj., ky është një lajm i keq, sepse do të kemi regjime shumë më autoritare dhe më pak të monitoruar nga BE” - tha zoti Krasniqi.
Studiues të përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin në BE pohojnë se për Europën Juglindore, për Ballkanin dhe për Shqipërinë koha e daljes së Britanisë do të jetë një kohë shtesë për të bërë më mirë detyrat e shtëpisë, për të plotësuar kriteret dhe standartet e antarësimit.