Lidhje

Përgjimet e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare


Gjermania ka thirrur ambasadorin amerikan të enjten për të diskutuar rreth akuzave se Agjencia Kombëtare e Sigurimit (NSA) mund të ketë përgjuar celularin e kancelares gjermane Angela Merkel. Gjermania i bashkohet aleatëve të tjerë si Franca, Brazili dhe Meksika, që kanë shprehur zemërim rreth çështjes së përgjimit.

Ndërsa udhëheqësit evropianë u mblodhën në Bruksel për një takim të Bashkimin Evropian, shumë nga ata kritikuan rëndë Shtetet e Bashkuara për praktikat e përgjimit. Kancelarja Merkel tha se “përgjimi i miqve është i papranueshëm.”
Ministria e jashtme gjermane thirri ambasadorin amerikan John Emerson për t’u takuar të enjten në Berlin me ministrin e jashtëm Guido Westerwelle, i cili pritej të shpjegonte qëndrimin e qeverisë gjermane.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se presidenti Barack Obama bisedoi në telefon me kancelaren Merkel rreth situatës.

“Unë vetëm mund t’ju them se çfarë i tha presidenti kancelares. Shtetet e Bashkuara nuk po përgjojnë dhe nuk do të përgjojnë komunikimet e kancelares.”

Zyrtarët gjermanë thonë se shpjegimi nuk është i mjaftueshëm, sepse Shtetet e Bashkuara nuk po thonë se nuk e kanë përgjuar kancelaren në të kaluarën.
Shtetet e Bashkuara u kritikuan gjithashtu në Bruksel nga udhëheqësit e Belgjikës, Holandës, Finlandës, Suedisë dhe Austrisë. Meksika dhe Brazili kanë hapur hetime për të mësuar nëse agjencia amerikane e sigurimit kombëtar ka përgjuar zyrtarët e tyre të lartë.

Presidenti francez Francois Hollande shpehu dëshirën për ta vendosur çështjen e përgjimit në rendin e ditës të Bashkimit Evropian. Ministri i tij i jashtëm, Laurent Fabius, pyeti Sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry rreth çështjes më herët kësaj jave.

“Ne, patjetër, se jemi dakord për të bashkëpunuar në luftën kundër terrorizmit. Kjo është themelore. Por kjo nuk justifikon aktin e përgjimit të të mijëra bashkëkombasve tanë.”

James Andrew Lewis është drejtor për programin e Teknologjisë dhe Politikës Publike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Ai thotë se reagimi evropian ndaj akuzave të përgjimit nga Shtetet e Bashkuara është i motivuar politikisht, por megjithatë mund të dëmtojë marrëdhëniet me aleatët.

“Shumica e reagimeve janë për konsum publik, por për publikun e tyre. Publiku i tyre është i zemëruar dhe problemi kryesor që po shohim këtu është që ka patur një ndryshim për keq në opinion publik evropian rreth Shteteve të Bashkuara, për shkak të këtyre skandaleve.”

Zoti Lewis beson se Uashingtoni duhet të bëjë një punë më të mirë për t’iu përgjigjur zemërimit të aleatëve rreth aktiviteteve të Agjencisë amerikane për Sigurimin Kombëtar.

“Ne kemi nevojë për një politikë të ndryshme nga ajo e mos-komentimit publikisht, dhe e di që do të jetë e vështirë për dhënë shpjegim, por Shtetet e Bashkuara duhet t’i përgjigjen shqetësimeve të aleatëve evropianë, dhe nëse ne nuk e bëjmë atë, do të shohim më shumë dëm në marrëdhënien ndëratlantike.”

Drejtori i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, Keith Alexander, i cili ka bërë të ditura planet e tij për të dalë në pension, kohët e fundit tha se aleatët amerikanë vlerësojnë mbledhjen e të dhënave për shkak se kjo mbron gjithashtu vendet e tyre nga sulmet terroriste.

“Shumë njerëz më kanë pyetur, se si ka ndikuar kjo në marrëdhëniet me aleatët? Kjo është përgjigja që unë marr: “Vazhdoni të punoni me ne. Informacioni që na jepni për të mbrojtur vendin tonë është ai për të cilin kemi me të vërtetë nevojë.”

Shumë nga njoftimet rreth përgjimit të aleatëve u bënë të ditura nga ish-kontraktori i zbulimit Edward Snowden.

Ministri i mbrojtjes i Gjermanisë tha se nëse përgjimi konfirmohet, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania thjesht nuk mund ta injorojnë një gjë të tillë.
XS
SM
MD
LG