Lidhje

Botohet “Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”


Studiuesi i njohur shqiptar Agron Alibali sapo ka botuar në Tiranë librin më të ri “Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”. Autori përshkruan me një mori dokumentash figurën e Faik Konicës si një diplomat i shquar shqiptar, si dijetar dhe atdhetar, që ndihmoi në forcimin e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. ​

Zëri i Amerikës: Zoti Alibali! Cilat janë të rejat, që sillni ju me këtë libër mbi figurën e Faik Konicës?

Agron Alibali: Libri bazohet në arkivën e legatës shqiptare në SHBA, në tërë praktikën diplomatike dhe konsullore të legatës së Konicës dhe konsullit Prifti në Boston. Risia kryesore e librit është mbështetja në këto dokumenta origjinale parësore, të shfrytëzuara për herë të parë, arkivë e cila u gjet në Romë.

Së dyti, libri u mbështet në arkiva të tjera në SHBA dhe po jap si shembull kundërpalët dhe homologët e Konicës, pra diplomatët amerikanë, që shërbenin në Tiranë; kam parasysh arkivën e ministrave Bernstein dhe Hugh Grant.

Së treti, libri u mbështet edhe në arkivat e deklasifikuara të organeve hetimore amerikane të pararendëses së FBI-së dhe arkivës së FBI-së lidhur me hetimet, që ata ndërmorën në atë kohë ndaj organizatës “Vatra” dhe Fan Nolit, dhe më vonë ndaj Faik Konicës.

Pra, risia e librit është mbështetja në dokumenta parësore, ku del dhe shfaqet në tërësinë dhe thellësinë e vet veprimtaria e legatës shqiptare në Uashington në lidhje me raportet shtetërore dypalëshe Shqipëri - SHBA, marrëdhëniet e legatës me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe me “Vatrën”, roli i “Vatrës” gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më tej gjatë kohës kur Konica shërbeu si diplomat.

Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni ndihmesën e Faik Konicës në marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane?

Agron Alibali: Konica bëri maksimumin që mund të bënte. Ai pohon vetë se nuk ishte diplomat profesionist. Nëse mund të citoj nga një letër e tij e vitit 1934, ai thotë se vëllai, Mehmeti, është diplomat profesionist dhe ngre shumë lart vlerat e tij.

Pra, Konica thotë: “Unë kam hyrë në shërbimin diplomatik 8 vjet më parë, (në vitin 1926), vetëm si gjest paqtimi për të tërhequr rreth qeverisë nacionalistët dhe intelektualët e pakënaqur shqiptarë, të cilët deri atëherë ishin mënjanuar nga shërbimet publike të shtetit shqiptar”.

Siç thotë edhe vetë Faiku këtu, angazhimi i tij si diplomat ishte më tepër një akt i brendshëm i Mbretit Zog për të hedhur urat e paqtimit dhe bashkëpunimit me mërgatën dhe koloninë shqiptare në SHBA dhe me Vatrën.

Por Konica shkëlqeu edhe në diplomaci, si në çdo fushë, ku punoi. Ai mbahej si një ndër diplomatët më të shquar në kryeqytetin amerikan. Ai hodhi gurët e themelit për lidhjet dhe marrëdhëniet e fuqishme midis SHBA-ve dhe Shqipërisë. Nën bashkërendimin e tij mes dy vendeve u lidhën 2-3 traktate shumë të rëndësishme, nga të cilat ndonjë prej tyre është në fuqi edhe sot.

Mbi të gjitha, ai ishte ambasador i kulturës shqiptare. Ka dhjetëra dokumente në arkivën e tij, ku ai paraqitet si një gjigand i vërtetë i letrave shqipe, i kulturës, i zakoneve shqiptare. Ai gjithmonë flet me admirim për Shqipërinë dhe gjithmonë përpiqet këtë vend të vogël, të panjohur, pak ekzotik, në një kryeqytet të vështirë e të sofistikuar si Uashingtoni i asaj kohe dhe para një publiku amerikan, i cili ishte gati indiferent, po edhe i interesuar për Europën e për një vend të vogël si Shqipëria.

Sa herë që atij i paraqiteshin letra, pyetje, kërkesa të ndryshme, ai me një xhentilesë të rrallë, me një plotësi dhe erudicion të jashtëzakonshëm gjithmonë i përgjigjej duke i shpjeguar Shqipërinë publikut amerikan.

Zëri i Amerikës: Si punoi dhe sa ia arriti Konica të ishte një urë lidhëse mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, një vendi të madh e të zhvilluar dhe një vendi të vogël e të prapambetur?

Agron Alibali: Veprimtaria e Konicës në këtë libër përqëndrohet në periudhën midis dy luftërave botërore, kur në Shqipëri mbreti Zog po përpiqej të konsolidonte shtetin shqiptar me reformat e tij historike.

Mbreti Zog u përpoq të fuqizonte pavarësinë e vendit, e përballë prirjeve perandorake të Italisë, kërkoi lidhje e marrëdhënie të fuqishme me SHBA. Flitet për një vizitë të Zogut në SHBA. Ai pastaj u martua mbretëreshën Geraldinë, një zonjë me gjak e prejardhje amerikane. Roli i SHBA-ve në atë periudhë, megjithë neutralitetin, ishte i kufizuar.

Konica u përpoq në maksimum të bënte gjithçka që mund të bënte, duke patur parasysh se ai ishte i kufizuar si përfaqësues i një vendi të vogël, po edhe SHBA në atë kohë kishin një qasje të kufizuar në aspektin ndërkombëtar, ku violinë e parë ishin Anglia dhe pastaj Franca.

Libri paraqet këtë etapë të shtetit dhe së drejtës së Shqipërisë gjatë periudhës së mbretit Zog. Së dyti. libri paraqet botëkuptimin kushtetues dhe shtetformues të Faik Konicës, i cili jepet për herë të parë. Konica paraqitet si ideolog i shtetit shqiptar, kur paraqet disa parime të rëndësishme kushtetuese si për shembull, që “nëse duam të bëjmë ndryshime kushtetuese, ato duhen bërë me asamble kushtetuese”. Ai flet shpesh për rëndësinë e Kushtetutës dhe rendit shumë parime të tjera të saj për shtetformimin.

Zëri i Amerikës: Ju shkruani edhe për amanetin e rrallë të Faik Konicës, që biblioteka e tij e pasur të dërgohet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Ju edhe vetë jeni angazhuar për të gjetur bibliotekën e humbur dhe një pjesë të saj e keni gjetur dhe sjellë në Shqipëri.

Agron Alibali: Në libër jepet në mënyrë të drejtpërdrejtë një temë historike dhe gati shpirtërore me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe pikërisht amanetin e papërmbushur të Faik Konicës. Amaneti i tij ishte biblioteka e jashtëzakonshme dhe e pasur prej dymijë librash, që në Uashington konsiderohej edhe nga miq të tij amerikanë si një ndër më të pasurat dhe ndër më të çmuarat në kryeqytetin amerikan.

Këtë bibliotekë ai e la me amanet për ta sjellë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Në libër shpjegohet se pas një pune të gjatë e të mundimshme dhe në bashkërendim të plotë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë arritëm të gjejmë rreth 272 libra të tjerë nga biblioteka e Faik Konicës, të cilat ishin ruajtur nga komuniteti shqiptar i Bostonit, më saktë nga familja e shqiptaro-amerikanit të nderuar Anthony Athanas. Këto libra janë kthyer në Shqipëri në mes të nëntorit 2016 dhe gjenden në Bibliotekën Kombëtare.

Në këtë libër tregohet edhe kjo urë shumë e rëndësishme komunikimi, kjo lidhje shpirtërore dhe kjo mundësi dhe kjo sfidë për ta përmbushur të plotë amanetin e Faik Konicës, në mënyrë që edhe 1565 libra të tjerë, një pasuri e jashtëzakonshme, të gjenden, të lokalizohen, dhe të kthehen të gjitha në Shqipëri.

Zëri i Amerkës: Çfarë mund të mësojnë diplomatët, shtetarët e sotëm, politikanët shqiptarë në disa kryeqytete nga cilësitë dhe puna e Faik Konicës, të pasqyruara në librin tuaj, për t'i ngjarë atij sadopak?

Agron Alibali: Së pari, Konica vinte interesin e kombit dhe të vendit mbi gjithçka. Patriotizmi ishte tipari themelor i Faik Konicës. Veprimtaria e tij dhe e vëllait të tij, Mehmet Konica, dhe diplomatë të tjerë, që ishin diplomatë të shquar të Zogut si Rauf Fico, Fuad Asllanin, vëllezërit Vrioni, Ekrem Libohova, mbizotërohej nga vendosja e interesit kombëtar në krye të çdo pune.

Patriotizmi ishte përparësi themelore i tyre. Kështu mund të shpjegohen shumë veprime të Faik Konicës, për të cilat deri sot kishte pikëpyetje. Po të analizohen në thellësi, qasja e tij ka qenë thjesht interesi i vendit.

Së dyti, është erudicioni i tij i jashtëzakonshëm. Ai kishte njohuri të madhe mbi 12 gjuhë të huaja, kishte një kujtesë mahnitëse dhe me të mund të bisedoje në çfarëdo teme dhe ai ishte ekspert në shumë fusha të dijes njerëzore.

Me erudicionin e tij Konica i bënte njerëzit për vete dhe ai ishte diplomat i klasit të parë, edhe pse vetë thotë se nuk ishte i tillë. “Diplomati në familje - thoshte Faiku - është vëllai, Mehmeti”. Por në fakt ai u bë një diplomat profesionist i madh dhe shumë burime në Uashington e quajnë të tillë.

Në libër ka edhe një analizë tjetër sa i takon figurës së Faikut si diplomat, duke u mbështetur në kararteristikat themelore të diplomatit, analizë të cilën po ia le vetë lexuesit për ta shijuar.

XS
SM
MD
LG