Lidhje

Agron Cane mbahet nën arrest


Në Shqipëri gjykata e Sarandës konfirmoi të martën masën e arrestit me burg për Agron Canen, aktivistin e partisë socialiste, i cili u vu nën pranga pas denoncimit të një gruaje dhe publikimit të një regjistrimi ku ai kërkonte favore seksuale në këmbim të ofrimit të një vendi pune.

Sipas prokurorisë Agron Cane, i cili punonte në zyrën e deputetit socialist Koço Kokëdhima në Sarandë, akuzohet për veprat penale të "Ngacmimit seksual" dhe "Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm".

Prokuroria ka vlerësuar se arrestimi është në përputhje me kushtet e kriteret që përcakton Ligji Procedural Penal. Ndërkohë që avokati i Canes ka kërkuar lirimin e tij duke e konsideruar të manipuluar regjistrimin e publikuar në media.

Vetë Cane është deklaruar i pafajshëm dhe ka folur për një prapaskenë politike sipas tij. Në bisedat e regjistruara mes tij dhe gruas që kërkonte punë, Agron Cane kërkonte të kishte marrëdhënie seksuale me vajzën 14 vjecare të gruas.


Ngjarja ka shkaktuar debate të shumta politike në vend dhe shkëmbime akuzash të forta mes opozitës dhe qeverisë. Por nga ana tjetër ajo ka ngritur edhe shqetësimin për një fenomen që sipas aktivistëve për të drejtat e grave, nuk përbën një rast të izoluar.

XS
SM
MD
LG