Lidhje

AI, e alarmuar nga indiferenca globale për të drejtat e njeriut

  • Greg Flakus

Grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International tha se udhëheqësit politikë në botë, përfshi presidentin amerikan Donald Trump, po krijojnë një botë më të ndarë dhe më të rrezikshme me “retorikë helmuese”. Në raportin e saj vjetor për të drejtat e njeriut në botë, politikanët në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe gjetkë, akuzohen se po krijojnë psikologjinë e një mjedisi “ne kundër atyre” që dobëson mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Raporti vjetor i organizatës mbulon kushtet në 159 vende të botës duke u përqëndruar në probleme të tilla si lufta civile në Siri dhe kriza e refugjatëve që pasoi, si dhe kufizimet e të drejtave të qytetarëve në vende që nga Turqia … në Kubë… në Filipine.

Në raportin e titulluar “Gjendja e të Drejtave të Njeriut në Botë” thuhet se politikanët në vende të ndryshme u janë përgjigjur shqetësimeve legjitime për ekonominë dhe sigurinë, me politika përçarëse dhe helmuese.

Adotei Akwei me Amnesty International në Shtetet e Bashkuara, thotë se vendet e vogla shpesh ndjekin retorikën dhe politikat e udhëheqësve të vendeve të mëdha, si Shtetet e Bashkuara.

“Jo vetëm që është retorika e rrezikshme, por gjithashtu praktika e zbatimit të politikave bëhet gjithashtu model që ndiqet nga qeveritë e tjera.”

Zoti Akwei thotë se refugjatët përballen me një reagim të ashpër në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, të nxitur nga frika e terrorizmit që është e paarsyeshme.

Ai thotë gjithashtu se kufizimet dhe ndalimet e imigrantëve nga vende individuale, minojnë sistemin ndërkombëtar për asistencën e refugjatëve të krijuar përmes traktateve dhe konventave.

“Sistemi është në rrezik të minohet plotësisht dhe kur të ndodh kjo baza e mënyrës se si duhet të trajtohen njerëzit minimalisht, papritur do të zhduket.”

Raporti i Amnesty International shpreh gjithashtu shqetësim se vendet që kanë mbrojtur të drejtat e njeriut në të kaluarën, mund të bëjnë një sy qorr ndaj krimeve dhe mund të tërhiqen nga angazhimet e tyre ndërsa vetë bëhen më kufizuese.

XS
SM
MD
LG