Lidhje

Aktivistë sirianë, trupat qeveritare kanë vrarë 50 civilë në Homs


Aktivistë sirianë, trupat qeveritare kanë vrarë 50 civilë në Homs
Aktivistë sirianë, trupat qeveritare kanë vrarë 50 civilë në Homs

Aktivistë sirianë thonë se trupat qeveritare kanë vrarë 50 civilë në Homs, duke vazhduar kështu rrethimin disa mujor të qytetit, qendër e protestave kundër sundimit 11 vjeçar të Presidentit Bashar al-Assad.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britani, thotë se bombardimet e sotme dëmtuan gjithashtu rëndë më shumë se 20 ndërtesa në distriktin Baba Amr të këtij qyteti.

Bombardimet e sotme pasojnë sulmet për ditë me radhë kundër Homsit, nga të cilat, sipas aktivistëve, janë vrarë qindra njerëz.

Numri i viktimave nuk mund të konfirmohet nga burime të pavarura sepse Siria nuk lejon gazetarë të pavarur në vend.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha sot se zgjidhja e krizës nëpërmjet një dialogu kombëtar duhet të arrihet nga vetë sirianët. Ai shtoi se nuk i takon komunitetit ndërkombëtar të përcaktojë rezultatin e bisedimeve të tilla që më parë.

Gjatë një takimi dje në Damask, zoti Assad tha se ai dëshiron që nën presidenti Farouk al-Sharaa të kryesojë bisedimet me opozitën.

Përpjekjet e Lidhjes Arabe dhe të Rusisë për organizimin e bisedimeve janë hedhur poshtë nga grupet siriane të opozitës, të cilët janë të revoltuar nga shtypjen e dhunshme prej qeverisë Assad të kryengritjes 11 mujore.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu vjen sot në Uashington, ku do të takohet me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, e cila ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me vende të tjera për të përforcuar sanksionet ndaj qeverisë së zotit Assad dhe për t’i mohuar asaj armë në mungesë të një rezolute të Kombeve të Bashkuara.

Ministri turk Davutoglu tha sot gjatë një interviste televizive se kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të diskutojë, po sot, gjendjen në Siri gjatë një thirrjeje telefonike me presidentin rus, Dmitry Medvedev.

XS
SM
MD
LG