Maryl Streep asnjëherë nuk është druajtur nga rolet kundërthënëse. Edhe në rolin e Margaret Thaçerit, ajo ka konfirmuar edhe një herë aftësitë e saj unike si aktore.
Çdo gjest i saj, intonacioni i zërit, të gjitha sjellin para nesh ish kryeministren britanike.
Suksesi nuk është diçka e re për këtë aktore, ai është në vazhdimësi. Në 12 shkurt, ajo fitoi çmimin Bafta për aktoren më të mirë, çmimi ekuivalent i Oscarit në Amerikë. Në fillim të muajit dhjetor ajo u nderua në qendrën Kenedi për arritjet në jetën artistike.
Meryl Streep ka qenë e suksesshme që në fëmijërinë e saj. Ajo nisi të interpretojë që në shkollë të mesme.
Murray Horwitz është skenarist dhe ish regjisor në Institutin amerikan të Filmit. Ai thotë se Streep lulëzon në skenë. Ai thotë:
“Mendoj se ajo është aktorja më e talentuar që kam parë deri më sot për portretizimin fizik të roleve. Për të arritur në këtë përfundim, duhet t’a shohim atë në skenën e teatrit”.
Por filmi e bëri atë të famshme.
Kandidatura e parë për çmimin Oscar ishte në vitin 1978 në filmin “The Deer Hunter”. Ajo interpreton Lindën, një grua punëtore e cila preket nga lufta në Vietnam.
Një vit më vonë, ajo shkëlqeu në interpretimin e saj përballë Dustin Hoffman në filmin “Kramer kundër Kramer”, i cili flet për një familje të divorcuar. Ajo luan Joanën, një nënë e cila lë burrin dhe fëmijën e saj, për gjetur vetvehten.
Për këtë rol, Streep mori çmimin e aktores më të mirë mbështetëse. Por ajo fitoi edhe respektin e kolegëve mbasi portretizoi me butësi rolin e Joanës, pavarësisht mendimeve të producentit, regjisorit dhe kolegut të saj në film.
Në vitin 1982, ajo fitoi çmimin Oscar për aktoren më të mirë me rolin e Sofisë në filmin “Sophie’s Choice”. Streep na jep një interpretim të fuqishëm të një gruaje tragjike, e mbijetuar e Holokaustit nazist.
Ajo ka interpretuar në shumë filma dhe ka fituar çmime të panumërta.
Murray Horwitz shpjegon suksesin e saj:
“Një producent i Broadway-it më tha dikur se qëllimi është që të bësh të duket roli më i vështirë i lehtë dhe rolit më të lehtë t’i japësh vlerë. Mendoj se Streep e ka arritur shumë, shumë mirë këtë. Ajo nuk kuptohet që aktron”.
Niveli i saj emocional dhe intelektual ka sjellë role si ai i baroneshës tek Out of Africa, apo zonjën ecentrike në filmin për fëmijë Lemony Snicket si dhe kuçedrën e modës Miranda Priestly në komedinë “Djalli vesh Prada”.
Mbas ikonës së modës, ajo u shndërrua në një murgeshë katolike në filmin dramatik Dyshimi, dhe më pas, shefja e famshme e kuzhinës franceze Julia Child në filmin "Julie and Julia."
Murray Horwitz thotë:
“Çdo muskul, çdo dridhje, çdo frymëmarrje është në kohën e duhur. Dhuntia e saj fizike dhe aftësia e saj për t’a përdorur atë, mendoj se është e pakrahasueshme”.
Nuk është befasues që portretizimi i Streep tashmë është mbuluar krejtësisht nga Margaret Thatcheri, një grua e fortë, parimore dhe e palëkundur si vetë aktorja Meryl Streep.