Lidhje

Akuza për vrasje të shkallës së dytë ndaj George Zimmermanit


Prokurorja speciale e Floridës Angela Corey akuzoi dje të dyshuarin George Zimmerman, një i bardh hispanik, për vrasjen me armë të të riut afrikano-amerikan Trayvon Martin. Ndërkohë, avokati që përfaqëson zotin Zimmerman tha se klienti i tij do të vetëdeklarohet jo fajtor për akuzat për vrasje të shkallës së dytë.

Zoti Zimmerman pritet të paraqitet sot para një gjykatësi, për një seancë lidhur me detyrimet.

Prokurorja Corey nuk dha hollësi mbi provat që çuan në akuzat për të shtënat e 26 shkurtit, por tha se ka patur një hetim të plotë. Zonja Corey tha se gjykatat në Florida nuk ndjekin penalisht njerëzit si pasojë e trysnisë publike, por bazohen mbi faktet dhe ligjin.

Vrasja e shkallës së dytë përcaktohet si një vrasje e qëllimshme që nuk ishte paramenduar. Ajo gjithashtu mund të përkufizohet si një vrasje e shkaktuar nga sjellje të rrezikshme të të dyshuarit dhe si pasojë e shpërfilljes për jetën e njeriut. Dënimi maksimal është jeta në burg.

Policia nuk e arrestoi Zimmermanin pasi ai qëlloi dhe vrau Trayvon Martin. Zimmerman tha se ai u sulmua nga Martin dhe e qëlloi të riun për vetëmbrojtje.

XS
SM
MD
LG