Lidhje

Seancë dëgjimore mbi akuzat për përgjim të Presidentit Trump


Megjithë një javë kundërshtimesh nga republikanët në Kongres, Shtëpia e Bardhë ka mbështetur akuzat e Presidentit Trump se ish-Presidenti Barack Obama përgjoi fshehurazi telefonatat e tij në Kullën Trump në Nju Jork. Ky debat e shtoi më tej interesin për seancën e sotme dëgjimore të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Seanca do t’i japë për herë të parë mundësinë drejtorit të FBI-së, James Comey, për të folur publikisht rreth këtyre akuzave si dhe për hetimin nga agjensia e tij të konktateve me Rusinë të anëtarëve të fushatës Trump.

Ka shumë pyetje, por jo mjaftueshëm përgjigje, ndërsa Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve përgatitet të trajtojë publikisht akuzat e Presidentit Trump.

“Ka shqetësim të madh nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, që Presidenti të ketë vullnetin ta thotë një gjë të tillë”, u shpreh anëtari i Komisionit, ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Anëtarë të vetë partisë së Presidentit iu bashkuan demokratëve duke thënë se nuk kanë asnjë provë për pretendimet e tij në Twitter.

“Nuk kemi prova se ka ndodhur kjo gjë. Nuk mendoj se është përgjuar realisht Kulla Trump”, tha kryetari i Komisionit të Zbulimit, Devin Nunes.

Krerët e Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve morën mbështetje dypartiake nga kolegët e tyre në Senat, vetëm një ditë pasi Senatori republikan Lindsey Graham kërkoi përgjigje nga FBI-ja rreth këtyre akuzave.

“Është një kërkesë krejt e thjeshtë – a pati urdhër të lëshuar nga ndonjë gjykatë amerikane për survejimin e fushatës Trump?” u shpreh Senatori Graham.

Ndërsa FBI-ja u premtoi senatorëve një seancë të klasifikuar informuese, drejtori Comey duhet të përballet në publik nesër me këto pyetje të vështira.

“Do ta pyesim nëse ekziston ndonjë provë që mbështet pretendimin e Presidentit. Më shqetëson thellësisht që Presidenti bën një akuzë të tillë pa patur baza, dhe mendoj se është në interesin e publikut që kjo çështje të trajtohet publikisht prej drejtorit të FBI-së”, tha ligjëvënësi demokrat Adam Schiff.

Presidenti u duk sikur dje u distancua nga akuza e tij.

“Nuk thamë asgjë, thjesht cituam një person shumë të talentuar për legjislacionin, që e tha këtë gjë në televizion”, tha Presidenti Trump.

Komisioni i Zbulimit i ka kërkuar FBI-së të paraqesë emrat e shtetasve amerikanë nën përgjim. Nëse emri i zotit Trump apo bashkëpunëtorëve të tij gjenden në atë listë, mund të kuptohet si shenjë se FBI-ja po heton kontaktet ndërmjet fushatës Trump dhe Rusisë.

“Është detyrë e tij të shpjegojë qartësisht natyrën dhe rrethanat e këtyre kontakteve”, mendon Susan Hennessey, nga Instituti Brookings.

Megjithëse në një dëgjesë të vetme nuk mund të trajtohen muaj të tërë pikëpyetjesh rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, dëgjesa mund të shërbejë si një fillim.

“Mendoj se më domethënëse tashmë për popullin amerikan është që të sigurohet se kjo është diçka që Kongresi po e merr seriozisht”, thotë zonja Hennessey.

Pra, pas një jave pikëpyetjesh në Kongres, ... ndizet shpresa për disa përgjigje.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG