Lidhje

18 korrik: Presidenti Truman nënshkruan ligjin e radhës presidenciale; Disneyland


Presidenti Truman nënshkruan ligjin e radhës presidenciale

Më 18 korrik 1947, Presidenti Heri Truman nënshkroi një ligj ku përcaktohej radha e vazhdimësisë së postit të presidentit. Kushtetuta amerikane e vitit 1787 deklaronte, që në rast se Presidenti bëhet i paaftë për të kryer funksionin e tij, atëherë ky post i kalon nën-presidentit.

Kushtetuta ia lë Kongresit të caktojë një pasardhës, nëse edhe nën-presidenti bëhet i paaftë për të kryer funksionet. Deri atëherë, sipas traditës, por jo ligjit, në një rast të tillë, postin e presidentit do ta merrte Sekretari i Shtetit. Ligji i nënshkruar nga Trumani më 18 korrik 1947, i dha fund mëdyshjeve lidhur me radhën e vazhdimisisë në postin e presidentit.

Sipas ligjit të ri, posti i kalonte Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, nëse edhe nën-presidenti bëhej i paaftë. Pastaj vinte Kryetari i Senatit dhe më pas, anëtarët e kabinetit të presidentit, duke filluar nga Sekretari i Shtetit. Megjithatë, deri tani asnjëherë nuk ka lindur nevoja për ta vënë në zbatim këtë ligj.

Disneyland

Më 18 korrik 1955, kompania Walt Disney hapi në Kaliforninë jugore Disneylandin, botën e lojrave dhe të ëndërrave. Ky park argëtimi shtrihej në një sipërfaqe prej 64 hektarësh, e cila dikur ishte plantacion portokallesh. Disneylandi u vendos në qytetin Anaheim të Kalifornisë, në periferitë e Los Anxhelosit.

Projekti kushtoi 17 milionë dollarë dhe përfshinte lundrime imagjinare në lumin Misisipi, apo udhëtime po imagjinare për në Hënë. Personazhet e ndryshme të parkut dilnin në fotografi me vizitorët. Disneylandi pati sukses të menjëhershëm dhe u bë një nga vendet më të vizituara turistike të Kalifornisë. Më 1971, në Florida u hap një park i ngjashëm i quajtur Bota e Uolt Diznit, sipas emrit të themeluesit të kompanisë.

XS
SM
MD
LG