Ndaj tre ish-anëtarëve të Parlamentit britanik janë ngritur akuza në gjykatë lidhur me një skandal për vjedhje, pas deklarimit të shpenzimeve personale si zyrtare. Gjykata e Lartë e Britanisë mori vendimin se ish-ligjvënësit nuk duhen përjashtuar nga gjykimi. Ish-ligjvënësit, kishin kërkuar që për akuzat ndaj tyre të vendoste Parlamenti, si anëtarë të tij dhe jo gjykatat kriminale.
Gazeta Dejli Telegraf vitin e kaluar identifikoi qindra ligjvënës që kishin dorëzuar listën e shpenzimeve të tilla, si punime në shtëpi, mobilimin, kopshtari dhe ushqim për qentë. Sekretarja e Brendshme britanike Jaqui Smith u detyrua të jepte dorëheqjen kur u zbulua se ajo kishte kërkuar reimburimin e parave për dy filma pornografikë që i kishte marrë me qira bashkëshorti i saj.
Rreth 400 ligjvënësve britanikë u është kërkuar të paguajnë 1,8 milionë dollarë pasi u zbulua se kishin përdorur fonde shtetërore për shpenzime personale.