Lidhje

Dy gazeta britanike tërheqin mbështetjen për Kryeministrin Gordon Brown


Dy gazeta britanike tërhoqën mbështetjen për Kryeministrin, Gordon Brown, duke i dhënë një goditje tjetër udhëheqësit të Partisë Laburista para zgjedhjeve të përgjithshme të javës së ardhshme.

Në një artikull redaksional, të botuar në numrin e sotëm të gazetës The Times, thuhet se e përditshmja mbështet kandidatin konservator David Cameron, duke shprehur përkrahje për Partinë Konservatore për herë të parë në 18 vjetët e fundit. Artikulli thekson se ekonomia ka qenë çështja thelbësore e këtij vendimi, duke e akuzuar partinë e zotit Brown për shpenzime të tepruara.

Ndërkaq, gazeta Guardian ka dalë në mbështetje të Liberal Demokratëve, të udhëhequr nga Nick Clegg, duke thënë se kjo parti pasqyron “frymën e përgjithshme kombëtare për ndryshime të mirëfillta”.

Popullariteti në rritje i Liberal Demokratëve ka ndryshuar karakterin e zgjedhjeve parlamentare në Britani, të cilat tradicionalisht mbisundohen nga partia Laburiste dhe ajo Konservatore.

Anketat parashikojnë se asnjë parti e vetme nuk do të sigurojë shumicën e nevojshme, duke çuar në spekulime për një koalicion qeveritar të Liberal Demokratëve me një parti tjetër.

XS
SM
MD
LG