Lidhje

Hipnoterapia, një alternativë për gratë që duan lindje natyrale


Hipnoterapia, një alternativë për gratë që duan lindje natyrale
Hipnoterapia, një alternativë për gratë që duan lindje natyrale

Gratë që duan një lindje pa përdorur medikamente, me sa më pak stres për nënën dhe foshnjen, gjithnjë e më shumë po zgjedhin hipnoterapinë. Kjo metodë, që njihet si hipno-lindja, u mëson grave metoda relaksimi dhe teknika hipnoze për të aktivizuar hormone që veprojnë si anestezi natyrale:

Disa çifte marrin mësime të thjeshta për relaksim, në kuadër të një programi që nxit lindjet natyrale. Anika Bosanket dhe i shoqi Frejzhër përfaqësojnë një prirje gjithnjë e më popullore në Britani drejt hipno-lindjeve. Hipno-terapi të ndryshme përdoren prej kohësh me një numër pikësynimesh si për shembull për të luftuar fobitë apo për të ndihmuar pacientët të lënë duhanin. Tani kjo metodë po përhapet edhe në obstetri.

Në vendet në zhvillim, lindjet janë shndërruar në një sipërmarje të sofistikuar teknologjike, ku ndërhyrjet kirurgjikale janë shpeshtuar ndjeshëm. Por shumë çifte duan të zgjedhin rrugën e lindjeve natyrale, me ndihmën e hipnoterapisë. Anika tregon se idenë ia kishte sugjeruar një shoqe e saj:

“Një shoqja ime pati shumë probleme gjatë lindjes së parë. Më duket se i zgjati 48 orë. Por për fëmijën e dytë zgjodhi metodën e hipno-lindjes dhe pati një përvojë krejt tjetër”.

Në klasat që ndjek Anika është instruktore hipno-terapistja Kethrin Grejvs. Ajo beson se metoda e hipno-lindjes shkakton më pak probleme fizike dhe ul nevojën për epidural apo operacion në shumicën e rasteve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, lindjet me operacion nuk duhet të jenë më shumë se 10-15 për qind e numrit të përgjithshëm të lindjeve. Por sipas një raporti të publikuar vjet nga Departamenti amerikan i Shëndetësisë, mbi 33 për qind e grave amerikane bënin lindje me operacion.

Zonja Grejvs beson se operacioni është i nevojshëm vetëm për arsye mjekësore, por shton se shtimi i numrit të operacioneve është thjesht një mënyrë që kanë gjetur mjekët për t’u mbrojtur nga paditë gjyqësore.

“Të gjitha këto alternative janë të mira po të përdoren aty ku duhet. Por ne jetojmë në epokën e padive gjyqësore. Kushdo qoftë, pavarësisht nga profesioni, përpiqet të mbrohet nga paditë gjyqësore. Ka raste kur klinikat paguajnë dëmshpërblime prej miliona dollarësh në rast problemesh në lindje. Prandaj mjekët janë të prirur të shmangin problemet përmes operacioneve”.

Përgatitja për hipno-terapi është një proces rigoroz dhe kërkon angazhim serioz nga të dy partnerët. Bashkëshorti mëson metoda për të inkurajuar dhe nxitur të shoqen gjatë procesit të lindjes. Fjalët që nënkuptojnë dhimbje apo vështirësi nuk lejohen gjatë lindjes. Gjatë kursit, çifti merr me vete një afishe që t’u kujtojë vazhdimisht nevojën për të mbajtur trupin në pozicionin e duhur, në mënyrë që foshnja të ushqehet me oksigjen të bollshëm.

Procesi bazohet në filozofinë se lindja nuk duhet parë si sëmundje, apo si ndërhyrje mjekësore për të kuruar një sëmundje, por si një proces i natyrshëm. Hipno-terapia u ofron çifteve një alternativë për t’u larguar nga mjekësia tradicionale dhe për të marrë vetë në dorë procesin e lindjes.

XS
SM
MD
LG