Lidhje

Presidenti Klinton nderohet nga Këshilli i Atlantikut


Këshilli i Atlantikut nderoi mbrëmë Bill Clintonin, presidentin e 42 amerikan për udhëheqje të shquar ndërkombëtare.

Mes shumë arritjesh gjatë dy mandateve të tij si president, Bill Clintoni ndihmoi në dhënien fund të konflikteve në vitet 1990, situatë që pasoi nga një periudhë stabiliteti dhe reformash në rajon.

Në fjalimin e tij të pranimit të çmimit, zoti Klinton tha se përpjekjet e tij për të ndalur spastrimin etnik në Ballkan gjatë viteve 1990 nuk ishin popullore në Shtetet e Bashkuara apo të mbështetura fuqishëm nga aleatët e Natos.

Konflikti boshnjak ishte publikuar gjerësisht dhe isha përpjekur të merrja mbështetje ndërkombëtare për tu përfshirë në ndalimin e luftës. Deri atëherë kishim 250 mijë të vdekur dhe 2 presje 5 milionë refugjatë. Masakra e Srebrenicës më në fund solli mbështetjen e nevojshme nga aleatët e Natos.

Presidenti Klinton theksoi se edhe pas masakrës së Srebrenicës në vitin 1995 të 8 mijë burrave dhe djemëve myslimanë, shumica e popullit amerikan ishte kundër veprimeve ushtarake të Natos në Bosnje. E njëjta gjë ishte e vërtetë edhe për ndërhyrjen e Natos në Kosovë që sprapsi forcat e Millosheviçit jashtë Kosovës dhe ndali shpërnguljen masive të shumicës etnike shqiptare nga ish provinca serbe.

Por zoti Klinton tha se fuqitë e mëdha botërore kanë përgjegjësinë të drejtojnë në zgjidhjen e krizës që po të lihet pas dore mund të përfundojë në fatkeqësi më të mëdha.

Pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë presidenti Klinton themeloi një fondacion që tërheq mbështetjen ndërkombëtare në zbutjen e varfërisë, sëmundjet dhe analfabetizmin në mbarë botën. Ai përqëndrohet gjithashtu në ripajtimin fetar, etnik dhe racor.


XS
SM
MD
LG